1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE-ja përshëndet vendimin e Serbisë për njohjen e targave

27 Dhjetor 2023

Në një kohë që BE e përshëndet vendimin e Serbisë për njohjen e targave, RKS, Kosova e quan atë maskim. Ende nuk dihet, nëse Kosova do lejojë automjetet me targa serbe të hyjnë në vend pa mbuluar simbolet e shtetit serb.

https://p.dw.com/p/4ac5P
Peter Stano, zëdhënës i BE
Peter Stano, zëdhënës i BEFotografi: Xavier Lejeune/European Union, 2020
Pika e kalimit të kufirit në Merdare
Pika e kalimit të kufirit në MerdareFotografi: Valdrin Xhemaj/REUTERS

Bashkimi Evropian e ka përshëndetur vendimin e Qeverisë së Serbisë, përmes të cilit nga 1 janari i vitit 2024 lejohet hyrja e automjeteve me targat e Republikës së Kosovës (RKS) në territorin serb. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, këtë vendim e quajti "një hap pozitiv drejt normalizimit të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ndërkaq, pret nga qeveria e Kosovës të përgjigjet me veprime pozitive. "Ne mirëpresim vendimin e Serbisë që zyrtarisht të njohë targat e automjeteve RKS, të lëshuara nga Kosova. Ky vendim është një hap pozitiv në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, por edhe obligimeve të mëhershme nga procesi i dialogut që kanë të bëjnë me lirinë e lëvizjes. Kjo dëshmon se përparimi në procesin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është i mundshëm”, tha zëdhënësi Stano. Ai shtoi se "ky vendim hap rrugën për heqjen e plotë të regjimit të letrave ngjitëse në targa. BE-ja tani pret që Kosova të përgjigjet në mënyrë të ngjashme”.

A do të përgjigjet Kosova pozitivisht pas vendimit serb?

Ende qeveria e Kosovës nuk ka njoftuar zyrtarisht, nëse do të veprojë në të njëjtën mënyrë, duke i lejuar automjetet me targa të Serbisë të  hyjnë në Kosovë, pa mbuluar simbolet e shtetit serb. Kosova ka disa muaj që e përdor masën e reciprocitetit në targa me Serbinë, ngjashëm si Serbia që e përdor me vite në raport me targat kosovare. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, që njëherësh është edhe kryenegociator i Kosovës në dialog, tha se "vendimi i Qeverisë serbe për t'i lejuar automjetet me targa të Kosovës, RKS, të lëvizin brenda territorit të saj nga 1 janari është tregues se të gjitha destabilizimet që i ka bërë Serbia në lidhje me to ndër vite kanë qenë të palogjikshme dhe të panevojshme”.

Kryenegociatori i Kosovës për dialogun, Besnik Bislimi dhe i dërguari i BE, Miroslav Lajçak para flamurit të BE
Kryenegociatori i Kosovës për dialogun, Besnik Bislimi dhe i dërguari i BE, Miroslav LajçakFotografi: Office of the Kosovo Prime Minister

Merr fund konflikti 10-vjeçar i targave

"Duhet të theksojmë dhe rikujtojmë, se ky nuk është konstruktivitet nga ana e Serbisë. Ata duan ta kamuflojnë pas dështimit në Banjskë dhe dështimit të narrativës së tyre të ushqyer për kaq shumë kohë në Bruksel”, shkroi Bislimi në profilin e tij. Sipas tij, "çështja e targave mbi 10 vjet ka qenë marrëveshje e pazbatuar e për 2 vjet marrëveshje e përdorur si mjet dhe qëllim për eskalim e destabilizim”.

"Fatkeqësisht, është dashur të kalojnë 18 muaj me tensione e barrikada nga ana e Serbisë, rezistencë dhe insistim në nivel teknik që stikersat të jenë zgjidhje permanente, si dhe tërheqje nga institucionet në nëntor të vitit të kaluar, për të ardhur në përfundimin që është i njëjtë me propozimin fillestar të Kosovës”, theksoi Bislimi.

Megjithatë zëvendëskryeministri Bislimi, tha se me vendimin për njohjen e targave RKS nga ana e Serbisë, shkon drejt fundit një proces i gjatë i çështjes së targave e mosnjohjes së tyre nga pala serbe. Bashkimi Evropian në disa raste ka kërkuar që mospajtimet rreth targave të mos përdoren për ngritjen e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë.