1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Britania nuk lejohet të deportojë azilkërkues në Ruandë

15 Nëntor 2023

Britania e Madhe ishte vendi i parë evropianoperëndimor që synoi një vend të tretë për azilkërkuesit. Italia lidhi së fundi një marrëveshje të ngjashme me Shqipërinë.

https://p.dw.com/p/4Ypyc
Gjykata e Larte Britanike
Fotografi: Kirsty Wigglesworth/AP Photo/picture alliance

Qeveria britanike ka dështuar me planet e saj për t'i dëbuar azilkërkuesit në Ruandë. Gjykata e Lartë e Mbretërisë së Bashkuar ka konfirmuar se planet e qeverisë për procedurat e azilit në Ruandë janë të paligjshme. Gjyqtarët të mërkurën kundërshtuan njëzëri kërkesën përkatëse nga qeveria e Londrës.

Gjykata e Lartë theksoi se ekzistonte rreziku që azilkërkuesit në vendin e Afrikës Lindore të mos kishin një gjykim të drejtë. Gjykata iu referua, ndër të tjera, raporteve nga organizata e OKB-së për ndihmën për refugjatët UNHCR.

Vendimi konsiderohet si një dështim për kryeministrin Rishi Sunak, i cili donte të përdorte Planin e Ruandës, për të dekurajuar emigrantët që të hynin në vend në mënyrë të parregullt me anije përmes Kanalit Anglez. Vitin e kaluar, më shumë se 45.000 njerëz arritën në Mbretërinë e Bashkuar në këtë mënyrë. Shifra e këtij viti është më e ulët se një vit më parë, rreth 27.000.

Gjykata e Lartë konfirmon vendimin e qershorit të apelit

Ministri i Brendshëm i Britanisë së Madhe, James Cleverly tha të mërkurën se qeveria do të shqyrtojë të gjitha opsionet e disponueshme pas vendimit të Gjykatës së Lartë të Mbretërisë së Bashkuar.

James Cleverly
James Cleverly Fotografi: Toby Melville/REUTERS

Cleverly tha në një deklaratë se"partneriteti ynë me Ruandën, megjithëse i guximshëm dhe ambicioz, është vetëm një pjesë e një sërë masash për të ndaluar dhe adresuar imigracionin e paligjshëm”.

Ai shtoi se qeveria britanike do të kërkojë edhe më tej "të gjitha rrugët e mundshme për të prishur modelin e ulët të biznesit të bandave kriminale që vënë në rrezik jetë të pafajshme për përfitimet e tyre ekonomike dhe egoiste."

"Synimi ynë është ta kthejmë marrëveshjen tonë në një traktat sa më shpejt të jetë e mundur,” u tha të mërkurën Cleverly deputetëve.

"Kjo do t'u tregojë qartë gjykatave tona dhe Strasburgut se rreziqet e përcaktuara nga Gjykata sot janë marrë parasysh (dhe) do të jenë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare."

Pagesë e majme nga Britania e Madhe për Ruandën

Nën ish-kryeministrin Boris Johnson, një vit e gjysmë më parë Mbretëria e Bashkuar nënshkroi një marrëveshje me Ruandën në Afrikën Lindore për transferimin e azilkërkuesve atje.

Marrëveshja parashikonte që migrantët mund të aplikojnë për azil në Ruandë dhe - nëse e fitonin - të jetonin atje, në vend që të ktheheshin në Britaninë e Madhe. Londra do t'i paguante Ruandës 120 milionë paund (rreth 137 milionë euro) për këtë koncept.

Protestuese para shpalljes se vendimit te Gjykates se Larte, 15.11.2023
Fotografi: Kirsty Wigglesworth/AP Photo/picture alliance

Deportimi në vendin e Afrikës Lindore, më shumë se 6.400 kilometra larg, synonte të pengonte migrantët që kalojnë Kanalin Anglez nga Franca në Mbretërinë e Bashkuar me varka. Megjithatë, Gjykata e Apelit vendosi me shumicë se Ruanda nuk mund të konsiderohet një vend i tretë i sigurt.

Gjykata Britanike e Apelit kishte vendosur që në qershor se vendi i Afrikës Lindore nuk ishte një vend i tretë i sigurt. Qeveria britanike e apeloi këtë vendim në Gjykatën e Lartë.

Numri në rritje i njerëzve që udhëtojnë ilegalisht përmes Kanalit Anglez drejt Britanisë së Madhe ka qenë prej kohësh halë në sy për qeverinë në Londër. Kufizimi i imigracionit dhe mbajtja e kontrollit mbi kufijtë britanikë ishte një nga premtimet e Brexit-it. Kritikët theksojnë se nuk ka rrugë ligjore hyrjeje për njerëzit që kërkojnë mbrojtje.