1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
Të drejtat e njeriutGlobal

Liridona, Vanja, Giulia - Femicid apo tragjedi familjare?

7 Dhjetor 2023

Vanja, Liridona, Giulia - vetëm tre raste që kanë tronditur kohët e fundit opinionin në Maqedoni të Veriut, Kosovë dhe Itali. Aktivistet i quajnë femicid, çfarë është ky fenomen?

https://p.dw.com/p/4ZraW
Karikaturë: Një kokë burri, në të cilën qëndron e burgosur një grua.
Dhuna ndaj grave është pasojë e mentalitetit patriarkal që sundon shoqërinë thonë aktivistët. Një karikaturë e DW, nga Mana Neyestani, Iran, me rastin e 25 nëntorit, Dita ndërkombëtare për parandalimin e dhunës ndaj grave. Fotografi: DW

14-vjeçarja maqedonase, Vanja Gjorgjievska, 30-vjeçarja nga Kosova, Liridona Ademaj, 22-vjeçarja italiane, Giulia Cecchetti - të treja u varrosën në një ditë, të treja u bënë viktima dhune nga anëtarë të familjes ose partnerë intimë. Vrasja e tyre ka ngjallur protesta nëpër rrugë për një mbrojtje më të mirë të grave dhe vajzave nga dhuna mbi bazë gjinore. Aktivistet kërkojnë që këto raste të emërtohen si femicid

Çfarë janë femicidet, përkatësisht feminicidet? 

Femicid do të thotë të vrasësh një grua për shkak të gjinisë së saj. Një term tjetër që përdoret në këtë kontekst është feminicid, dhe nënkupton edhe përgjegjësinë që kanë institucionet shtetërore dhe shoqërore. Në shumë raste autorët e vrasjes ose urdhëruesit e tyre janë ish-partnerë intimë ose pjesëtarë të rrethit familjar. A mund të quhet rasti i Vanjës dhe Liridonës si femicide? Jeta Xharra, publiciste dhe aktiviste e zëshme për të drejta e gruas në Kosovë, thotë për Deutsche Welle-n, se “derisa të vërtetohet e kundërta, ne mendojmë se çdo grua apo vajzë që vritet nga një mashkull quhet feminicid”. Zyra e OKB-së për Drogën dhe Krimin UNODC ka përcaktuar dy kritere për një femicid: Vrasja duhet të jetë bërë me qëllim dhe njëri nga motivet të ketë bazë gjinore. 

Gra me gramafonë përpara kamerave protestuar
Aktiviste Italiane duke protestuar për Giulia Ceccheti, 22 vjeçarja nga Padova, u vra nga ish- i dashuri i saj Filippo, i cili më pas u kap në Gjermani. Ishte femicidi i 101 në Itali. Fotografi: Massimo Alberico/FOTOGRAMMA/IPA/picture alliance

Sa i përhapur është femicidi si fenomen?

Sipas raportit më të fundit të UNODC, vetëm në vitin 2022 janë regjistruar 89 000 femicide në mbarë botën. Shumica e tyre janë Afrikë dhe Azi. Në Gjermani numri i femicideve vitin e kaluar ka qenë 133, shumica janë vrarë nga partnerët ose ish-partnerët e tyre. Në Kosovë, vlerësohet se që nga viti 2000 ka pasur 66 femicide, pra, mesatarisht nga dy në vit, për një vend me më pak se dymilionë banorë, kjo është një shifër shumë e lartë, thonë aktivistët. Në Serbi janë vrarë 27 gra në sulme mbi bazë gjinore. Në Bosnjë-Hercegovinë (3,3 milionë banorë) janë vrarë 65 gra vetëm në 10 vitet e fundit. Ndërsa ministri i drejtësisë së Maqedonisë së Veriut, Krenar Lloga, tha së fundmi se në katër vitet e fundit në Maqedoninë e Veriut janë vrarë 19 gra nga meshkuj.

A janë viktimat e femicideve vetëm gra me status të ulët shoqëror?

Femicidi është i përhapur në të gjitha shtresat e shoqërisë, thonë ekspertet. Në shtator 2022, Zvicra u trondit nga vrasja e 41-vjeçares Shqiponja Isufi, vrasësi i të cilit pas shumë gjasash është i shoqi. Shqiponja ishte një aktiviste e njohur në mërgatën shqiptare në Zvicër, ishte sipërmarrëse e suksesshme dhe docente në një Universitet në St. Gallen. I dyshuari, i shoqi, një shqiptar nga Maqedonia e Veriut, që jetonte prej njëzet vitesh në Zvicër, e ka pranuar fajin dhe është në gjykim, siç bëhet e ditur nga Prokuroria në Baden të Zvicrës. Edhe Liridona Ademaj, sipas të dhënave të deritanishme, ka pasur një kompani të vetën të suksesshme në Suedi dhe gëzonte reputacion në qarqet e diasporës. 

A mund të quhet vrasja në çift një tragjedi familjare? 

Ka një sërë vendesh të  Amerikës Latine që në gjyqe e trajtojnë femicidin si një vepër penale më vete. Në Evropë kjo nuk është arritur në asnjë vend deri tani. Madje në Gjermani:  Në procese gjyqësore shumë gjyqtarë e kanë të vështirë të gjejnë termin e duhur kur trajtojnë vrasjet e grave nga partnerët ose ish-partnerët. Në shumë raste ato nuk e trajtojnë këtë vrasje si të qëllimshme, por si një goditje me pasojë vdekjen. Sepse mizogjinia apo sedra e lënduar e një mashkulli, siç pretendohet të ketë qenë motivi në rastin e Giulias nga Italia, nuk merren parasysh si tipare karakteristike për një vrasje. Ministrja gjermane e familjes, Lisa Paus, nga Partia e Gjelbër,  po përpiqet ta fusë vrasjen mbi bazë gjinore si një tipar karakteristik të vrasjes. “Nuk ka vrasje as nga xhelozia e as nga dashuria”, thotë ajo. “Vrasjet në çift janë femicide”. 

Gra me  pankarta në dorë duke protestuar për vrasjen e Liridona Ademajt.
Nuk ka paqe pa sigurinë e grave, thuhet në një pankartë gjatë një marrshimi proteste në Prishtinë, Fotografi: Kosova Women's Network

Si mund të parandalohen femicidet? 

Femicidi nuk është fillimi, por është fundi i një kalvari vuajtjesh të mëparshme, thonë ekspertet dhe ekspertët. “Dhuna në familje nuk fillon me sulme fizike. Përkundrazi, është një proces i ngadaltë që shpesh fillon me kritika, xhelozi, kërcënime, fyerje dhe kontroll”, shpjegon Petra Söchting, drejtoreshë e  Hilfetelefonnë Gjermani që këshillon të prekurit nga dhuna ndaj grave. Prandaj ajo u këshillon grave të prekura nga dhuna, që të bëhen vigjilente dhe të mos i injorojnë shenjat e para. Këshillimet bëhen edhe në gjuhën shqipe. Sipas informacioneve të Deutsche Welle-s, vitin e kaluar ka pasur 82 telefonata të zhvilluara me përkthyes në shqip. Numri më i madh i telefonatave me përkthim në vitin 2022 ishte në arabisht, 758. 

Çfarë është Konventa e Stambollit 

Femicidet parandalohen duke parandaluar dhunën e duke reaguar si duhet në momentin e raportimit të dhunës ndaj gruas: Konventa e Stambollit, një marrëveshje e Këshillit të Evropës e arritur në vitin 2011, është ratifikuar tashmë nga shumë vende, ndër to edhe nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Ajo e klasifikon dhunën ndaj gruas si shkelje të të drejtave të njeriut dhe parasheh një sërë masash për të shpëtuar gratë nga dhuna e burrave. Të tilla janë, sigurimi i strehimit për gratë e kërcënuara, dënimi ose ndalimi i burrit t’i afrohet gruas së kërcënuar. Por shumë shpesh ajo çalon te implementimi. 

Çfarë janë Orange Days?

Vanja, Giulia, Liridona u vranë, përkatësisht u varrosën pikërisht në të ashtuquajtura Ditë të Portokallta, të shpallura nga OKB-ja si ditët  për parandalimin e dhunës kundër grave. Këto janë 16 ditë aksionesh që fillojnë nga data 25 nëntor, Dita ndërkombëtare të dhunës kundër grave, e deri në 10 dhjetor, Dita ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, dhe synojnë të sensibilizojnë për dhunën ndaj gruas. 

A është patriarkati shkaku i feminicidit? 

Vrasja e Giulias nga ish-shoku i saj Filippo solli një ndryshim në opinionin italian, pasi e motra e viktimës Elena Ceccetti, i bëri thirrje shoqërisë të hidhte sytë te shtypja e grave dhe jo te Filippo si një vrasës individual. "Filippo nuk është përbindësh” tha ajo në televizionin italian. Ai është një “fëmijë i patriarkatit që depërton gjithçka dhe e një kulture të dhunshme”. Edhe Jeta Xharra kujton se në platformën e drejtuar prej saj kallxo.comraportojnë mesataraisht katër-pesë gra në muaj për dhune në familje. Por ato nuk gjejnë mbështetjen e familjeve të veta, sepse mbizotëron mentaliteti që thotë: "Bëj ashtu si thotë burri". Një fjalë, që ia kishte thënë edhe babai Liridonës, kur e bija i kishte kërkuar një këshillë.  Mua kjo fjalë më mbeti si thikë në kraharor, thotë Xharra. Ndyshimi i këtij mentaliteti kërkon kohë dhe një pjesëmarrje më të gjerë të grave në poste drejtuese thotë Xharra.