1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
Sport

Futbolli për femra në rritje-Kushtet për lojtaret jo të mira

24 Dhjetor 2023

Futbolli i femrave pritet të kthehet në një industri miliardëshe. Por rritja e shpejtë e këtij sporti ka anët e veta negative, disa prej këtyre pasojave i ndjejnë edhe lojtaret e profilit më të lartë.

https://p.dw.com/p/4aXKx
Pamje nga ndeshja Waels - Gjermani. Gjermania Elisa Senb (majtas) dhe Elise Hughes nga Uellsi
Liga e Kombeve, pamje nga ndeshja Waels - Gjermani. Gjermania Elisa Senb (majtas) dhe Elise Hughes nga Uellsi.Fotografi: David Davies/PA Wire/dpa/picture alliance

Interesimi për futbollin e femrave është rritur me shpejtësi: 59,402 tifozë që paguajnë për të parë një ndeshje futbolli për femra. Kështu ndodhi në Londër në përballjen e Superligës së Femrave mes Arsenalit dhe Çelsit në mes të dhjetorit. Por kjo ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë edhe në Australi, në SHBA dhe disa vende evropiane.

Një pjesëmarrje e tillë është dëshmi e mëtejshme e rritjes së madhe të sportit të femrave, nxitur mbi të gjitha, ngafutbolli. Një raport i fundit nga firma e kontabilitetit Deloitte parashikon, se sportet e grave do ta kalojnë për herë të parë pragun e të ardhurave globale prej 1 miliard dollarësh (928 milionë euro) në vitin 2024, me futbollin që llogaritet në 555 milionë dollarë.

Por një rritje e tillë e shpejtë ka ngritur pyetje të rëndësishme të sindikatave të lojtareve dhe lojtarëve FIFPRO në lidhje me koston e saj. Këto shqetësime janë publikuan në raportin e tyre për Kupën e Botës 2023 në Australi dhe Zelandën e Re në të njëjtën ditë. Raporti zbuloi se lojtaret, ndikimi i të cilave në rritjen e lojës është i dukshëm në fushë, në tribuna dhe në tryezat e tregtimit, mund të paguajnë një çmim të padrejtë.

Raporti anketoi 260 lojtare nga 26 prej 32 skuadrave dhe zbuloi se një në tre lojtare fiton më pak se 30,000 dollarë në vit nga futbolli (duke mos përfshirë bonusin e FIFA-s për Kupën e Botës), dhe një në pesë ka nevojë për një punë të dytë si rezultat.

Stërmundim i madh

Ndryshimi është megjithatë relativisht i ri, ato në fushë në Londër dhe në WSL në përgjithësi, janë plotësisht profesioniste. Por ky është rasti vetëm në disa liga në mbarë botën, dhe madje edhe atëherë, lojtaret paguhen mirë vetëm në klubet elitare. Por edhe në këto klube, kushtet nuk janë të përsosura, me dy të tretat e lojtareve që pohojnë se ndihen të dobëta në kulmin e tyre fizik pë shkak të kalendarit intensiv të ndeshjeve. Disa nga lojtaret e Arsenalit kaluan katërshen e fundit të Kupës së Botës në Australi dhe më pas u përballën me një ndeshje kualifikuese të Ligës së Kampioneve në intervalin pak më shumë se dy javë më vonë.

Steph Catley ishte njëra prej tyre. Mbrojtësja anësore ishte kapitenja e Australisë në katër ndeshje teksa humbën në gjysmëfinale dhe u kthye për të luajtur një ndeshje konkurruese në Londër; një fluturim i largët prej 24-orësh, vetëm 18 ditë pas playoff-it për vendin e tretë. Periudha e rikuperimit ishte një ditë më pak për lojtaret ndërkombëtare angleze të Arsenalit.

"Çdo pushim është shumë i mirëpritur në këtë fazë," tha Catley për DW për pauzën e ardhshme të Krishtlindjeve në WSL. "Janë shumë lojëra, veçanërisht për të luajtur për Australinë, ku ne bëjmë shumë udhëtime shtesë. Kjo është diçka nga e cila duhet të kemi kujdes. Kjo është diçka që stafi ynë mjekësor dhe stërvitor bëjnë një punë vërtet të mirë për ta menaxhuar. Është e rëndësishme vetëm të njohësh trupin tënd”.

Lojtaret elitare si Catley të paktën nuk duhet të balancojnë të ardhurat me punë të dyta ose studimet me karrierën e tyre sportive dhe gëzojnë akses në infrastrukturën e përmirësuar mjekësore dhe të fitnesit, veçanërisht në ato klube të lidhura me skuadrat kryesore të meshkujve. Por edhe për ta, efektet e udhëtimit dhe kërkesat e ndeshjeve mund të sjellin pasoja.

"Nëse lojtarët nuk e kanë atë periudhë të sigurt prej të paktën tri javësh, ose idealisht pesë javë, pas një fushate të gjatë përpara se të shkojnë në para-sezon, atëherë është e rrezikshme jo vetëm nga pikëpamja fizike dhe fiziologjike, por edhe për shëndetin mendor gjithashtu”, tha shefi mjekësor i FIFPRO, Prof Dr. Vincent Gouttebarge.

Ky nuk ishte rasti për Alessia Russo, Catley, Lotte Wubben-Moy, Caitlin Foord dhe shumë lojtare të tjera në liga anembanë botës, të cilat u rikthyen për të luajtur ndeshje të profilit të lartë, përveç stërvitjeve dhe udhëtimeve, kaq shpejt pas finales, në Sydney ose në playoff për vendin e tretë në Brisbane. Krijimi i Ligës së Kombeve për futbollin e femrave sivjet ka rritur më tej numrin e ndeshjeve të përfshira në kalendar, dhe gjithashtu do të sjellë edhe ndryshime të ardhshme në Ligën e Kampionëve të UEFA-s.

Pamje nga ndeshja Olympique Lyon - VfL Wolfsburg: Lojtaret e Olympique Lyon Wendie Renard dhe Alexandra Popp e VfL Wolfsburg
Liga e Kampioneve: Lojtaret e Olympique Lyon Wendie Renard dhe Alexandra Popp e VfL WolfsburgFotografi: Oliver Baumgart/foto2press/imago

Rritje, por me çfarë kostoje?

Pasojat e asaj që kërkohet prej tyre u dëshmuan për fat të keqnë këtë derbi londinez. Shënuesja e golit të parë të Arsenalit, Beth Mead, humbi Kupën e Botës për shkak të një dëmtimi të ligamentit të kryqëzuar anterior, që është bërë një mallkim i shpeshtë për lojën e femrave, ndërkohë që shoqja e saj e skuadrës dhe kapitenja e Anglisë, Leah Williamson ende nuk është rikuperuar nga i njëjti dëmtim. Zëvendësuesja e Williamson si kapitenja e Anglisë, Millie Bright, humbi derbin dhe zhvillimin e Kupës së Botës, pasi ishte lojtarja që luajti më shumë minuta në të gjithë Evropën në sezonin 2021-22.

"Oraret tona janë shumë më impenjative tani”, tha ajo për DW në fillim të këtij viti, para Kupës së Botës. "Ne pritet të bëjmë turne pas turneu, ndërsa konkurrojmë për çdo trofe kur luajmë në ato klube të nivelit të lartë. Është e pamundur të vazhdojmë dhe ne nuk jemi robotë, trupat tanë do të prishen," shtoi ajo, në mënyrë profetike.

Raporti vërtetoi përparimet masive të bëra në krye të lojës së femrave, me kushte të barabarta gjinore për akomodimin, transportin dhe stafin mbështetës të negociuar për Kupën e Botës dhe më shumë para që derdheshin në lojë. Por siç vuri në dukje Deloitte: "Kjo rritje e angazhimit të tifozëve dhe investitorëve po çon në mundësi të reja dhe të përmirësuara për klubet dhe ligat, duke përfshirë partneritete më të mëdha tregtare, rritje të pjesëmarrjes dhe ditë më të mëdha ndeshjesh. Për të siguruar që kjo rritje të jetë e vazhdueshme dhe e qëndrueshme, organizatat sportive duhet të sigurojnë që investimet të drejtohen në vendet e duhura, të tilla si inkurajimi i besnikërisë së tifozëve, mirëqenia e lojtareve dhe ruajtja e konkurrencës në liga."

Futbolli i femrave, në nivelin shumë të lartë, tani është në një udhëkryq: të zhvillohet në mënyrën ashtu si ka avoluuar loja e meshkujve, me paratë si shtytësi kryesor, ose të ecet pak më ngadalë dhe të kujdesesh kryesisht për atë që e bën atë interesante.

Autor: Matt Paerson