1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania dhe Italia duan të bashkëpunojnë më ngushtë

22 Nëntor 2023

Të dyja vendet duan të thellojnë marrëdhëniet e tyre në fushën e ekonomisë, mbrojtjes, mbrojtjes së klimës dhe migrimit. Meloni dhe koalicioni i saj janë të interesuar për marrëdhënie më të ngushta me Gjermaninë.

https://p.dw.com/p/4ZJXR
Giorgia Meloni dhe Olaf  Scholz, më 22 nëntor 2023 në Berlin duke nënshkruar planin e veprimit
Giorgia Meloni dhe Olaf Scholz, më 22 nëntor 2023 në Berlin duke nënshkruar planin e veprimitFotografi: Annegret Hilse/REUTERS

Qëllimi i deklaruar është intensifikimi i bashkëpunimit. I ashtuquajturi plan veprimi, i cili u nënshkrua të mërkurën në mbrëmje, 22.11.2023, në Berlin. përmban plane konkrete. Një çështje e rëndësishme është siguria dhe politika e jashtme. Do të ketë një format "dy plus dy”, pra takime periodike mes ministrave të jashtëm dhe të mbrojtjes.

Italia dhe Gjermania tashmë po flasin në të njëjtën frymë për disa çështje, siç është lufta në Ukrainë, theksoi kancelari federal Olaf Scholz gjatë vizitës së tij në Romë në qershor. "Së bashku qëndrojmë pranë Ukrainës, të cilën e mbështesim politikisht, financiarisht, humanitarisht dhe me armë dhe trajnime ushtarake. Dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë për aq kohë sa të jetë e nevojshme."

Për marrëveshjen ishte rënë dakord me qeverinë e mëparshme të Mario Draghit, por Giorgia Meloni dhe koalicioni i saj i tre partive të djathta janë gjithashtu të interesuar për marrëdhënie më të ngushta me Gjermaninë. Një forum vjetor synon të ndihmojë në fushën ekonomike, si dhe në çështjet industriale si sektori i automobilave, digjitalizimi dhe lëvizshmëria e gjelbër. Vëmendje e veçantë mund t'i kushtohet hidrogjenit të gjelbër, në të cilin Italia ka nisur tashmë projekte të shumta.

Tubacioni i hidrogjenit nga Afrika e Veriut në Bavari

Si Roma ashtu edhe Berlini duan të zgjerojnë furnizimin e tyre me energji. Projektet midis dy vendeve përfshijnë ndërtimin e një përcjellësi midis Afrikës së Veriut dhe Bavarisë, tha Scholz. "Kjo do të rrisë sigurinë energjetike për të dy vendet", tha Scholz të mërkurën në Berlin. Infrastruktura e tubacioneve ndërkufitare do të zgjerohet për të ashtuquajturin South Central Hydrogen Corridor (SCHC) (Korridori Jug-Qendror i Hidrogjenit) nga Gjermania Jugore në Afrikën Veriore, duke kaluar përmes Italisë, duke lejuar importin e dhjetë milionë tonë hidrogjen deri në vitin 2030.

Giorgia Meloni dhe Olaf Scholz në tapetin e kuq para kancelarisë Gjermane  në Berlin duke pozuar për shtypin.
Giorgia Meloni dhe Olaf Scholz në tapetin e kuq para kancelarisë Gjermane në Berlin duke pozuar për shtypin. Fotografi: Fabrizio Bensch/REUTERS

Importi i energjisë së ripërtëritshme nga Afrika e Veriut gjithashtu do të lidhë Italinë dhe Gjermaninë me Austrinë dhe Zvicrën dhe të kontribuojë në krijimin e një rrjeti më të gjerë evropian të hidrogjenit. Për ta arritur këtë, Gjermania dhe Italia gjithashtu duan të nxisin prodhimin e energjisë së ripërtëritshme, të gazit natyror dhe hidrogjenit në Afrikën e Veriut.

Meloni dhe Scholzi duket se kuptohen

Dy vendet dëshirojnë të bashkëpunojnë më ngushtë në veçanti për çështjet e energjisë, dhe një rol të rëndësishëm luan edhe bashkëpunimi me vendet e Afrikës së Veriut, tha Meloni gjatë vizitës së kancelarit në Itali. Gjithashtu në këtë fushë ka pika të rëndësishme marrëveshjeje me Gjermaninë, pra nevoja për të nisur forma të reja bashkëpunimi, kryesisht me vendet e rajonit të Mesdheut dhe Afrikën Veriore, veçanërisht për çështjet energjetike.

Mirëkuptimi mes Melonit dhe Scholz duket se funksionon, të paktën të dy ishin shumë të ngrohtë me njëri-tjetrin në Romë në qershor. Dhe po aq të ngrohtë ishin edhe në Berlin, megjithë temperaturat e nën zero. Meloni gjatë konferencës së shtypit nënvizoi disa herë se "Gjermania është një partnere e besueshme". 

Dallimet mbi migrimin vazhdojnë

Shteti italian ka një nivel borxhi mbi mesataren dhe Meloni dëshiron të relaksojë më tej rregullat e deficitit: "Më duket se po bëhet përparim. Sepse ne e kuptojmë se kthimi në rregullat e vjetra do të ishte fatal për ekonominë tonë pas një kohe të shkurtër. Duket se ka përparim, por për sa më përket mua dhe Italisë, këto hapa nuk janë të mjaftueshëm."

Qeveria gjermane, nga ana e saj, kërkon më shumë disiplinë buxhetore dhe presioni është bërë edhe më i madh. Ka pasur edhe disa mosmarrëveshje të mëdha mes dy vendeve për çështjen e migrimit, kryesisht për shkak të ekipeve gjermane të shpëtimit emergjent në det, të cilët janë halë në sy për qeverinë e djathtë të Italisë.

Përveç kësaj, Meloni shpesh beson se nuk ka mbështetje të mjaftueshme për të ndaluar imigracionin e paligjshëm. Tani dëshiron të krijojë qendra pritjeje jashtë BE-së dhe së fundmi është nënshkruar një marrëveshje me Shqipërinë.  Meloni tha në konferencë shtypi: "Se është një marrëveshje kornizë që mund të shërbejë si test në të ardhmen. Edhe Scholz tha se po e vëzhgojmë me interes.  Konsultimet ndërqeveritare janë të parat që nga viti 2016, duke i dhënë shtysë të re një marrëdhënieje afatgjatë mes dy vendeve. aud, dlf, ard, ash. 

 

Ky artikull është përditësuar.