1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova aplikon për në Këshillin e Europës-Indinjohet Serbia

12 Maj 2022

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Europës. Por presidenti i Serbisë reagoi duke u shprehur, se Serbia do të veprojë kundër kësaj nisme të Prishtinës.

https://p.dw.com/p/4BE3c
Frankreich, Strasbourg | Parlamentarischen Versammlung des Europarates
Fotografi: Dominique Boutin/Sputnik/picture alliance

Serbia ka reaguar me indinjatë ndaj aplikimit të Kosovës për antarësim në Këshillin e Europës. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq duke folur të enjten (12.05) në televizion tha, se Serbia „do të bëjë gjithçka" përmes „rrugëve paqësore e diplomatike" kundër kësaj nisme të Prishtinës. "Javët e ardhëshme ne do të bëjmë më të mirën, për të treguar, se luftojmë dhe mund ta ruajmë vendin tonë". Për të premten (13.05) Vuçiq ka thirrur një mbledhje të Këshillit kombëtar të Sigurisë.

Më parë ishte qeveria e Kosovës, e cila mori zyrtarisht vendimin për anëtarësimin në Këshillin e Europës. Aplikimin në Strasburg e dorëzoi ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, e cila deklaroi: "Dorëzuam kërkesën për anëtarësim në Këshill të Evropës. Sot hapëm një kapitull të ri për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, sot fillon procedura e shqyrtimit të kërkesës sonë, e cila do të kalojë në instancat të ndryshme të Këshillit të Evropës dhe Asamblesë Parlamentare dhe për fund edhe të Këshillit Ministror. Kosova është vendi më demokratik në rajon, Kosova është vendi më proeuropian në rajon dhe është vendi më optimist në rajon", theksoi Gërvalla dhe shtoi: "Kosova e meriton të jetë anëtare e Këshillit të Evropës një ditë e më parë. Kjo procedurë që e kemi nisur sot do të përfundojë me anëtarësim të plotë të Kosovës në Këshill të Evropës dhe me këtë me forcim të të drejtave të qytetarëve të Kosovës dhe qasje të tyre në instanca evropiane”.