1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova përballet me kritika në përvjetorin e pavarësisë

17 Shkurt 2024

Kosova feston 16-vjetorin e pavarësisë. Në këtë përvjetor ajo përballet me kritika e pakënaqësi nga ndërkombëtarët. Ata kërkojnë që qeveria të mos bëjë veprime të njëanshme e t'i zgjidhë problemet në kuadër të dialogut.

https://p.dw.com/p/4cT1i
Pamje simbolike e 16-vjetorit të pavarësisë
Fotografi: Office of the Kosovo presidency

17 shkurt, 16-vjetori i shpalljes së pavarësisë së Kosovës - një përvjetor që këtë vit festohet përballë thirrjeve ndërkombëtare që politika të mos nxisë tensionet me Serbinë, me të cilën zhvillon dialog që nga viti 2011. Nga Kosova kërkohet që të mos ndërmarrë veprime të veçuara, por t'i koordinojë ato.

Marrëdhënia Kosovë-Serbi është e tensionuar që pas sulmit të 24 shtatorit të vitit të shkuar në Banjskë në veri të Kosovës nga një grup serbësh të armatosur, ku u vra një polic nga Kosova. Atëherë Kosova akuzoi Serbinë për mbështetje të grupit të armatosur. Ndërkohë përgjegjësinë për sulmin që udhëhoqi grupin e mori ish-nënkryetari i Listës Srpska, Milan Radoiçiq, i cili tashmë gjendet në Serbi. Autoritetet ndërkombëtare i kërkuan Serbisë ta hetojë rastin deri në fund dhe përgjegjësit të dalin para drejtësisë.

Edhe një vendim i fundit Bankës Qendrore të Kosovës u bë shkas për rritjen e tensioneve. Me një rregullore të BQK-së përcaktohet Euro si valuta e vetme për përdorim në Kosovë. Kjo sjell ndalimin e dinarit të  Serbisë, që përdoret në pothuaj të gjitha komunat e banuara me shumicë serbe. Ky veprim i Kosovës u cilësua i njëanshëm, që mund të rrisë tensionet, jo mirë i menduar dhe pa koordinim me faktorin ndërkombëtar.      

Pamje nga Prishtina, atmosferë festive me flamuj në rrugë
PrishtinaFotografi: Bekim Shehu/DW

Pakënaqësi për vendimin e njëanshëm të Kosovës 

Megjithë thirrjet ndërkombëtare që Kosova ta pezullojë vendimin e BQK-së, që ndalon përdorimin e dinarit serb, vendimi hyri në fuqi më 1 shkurt. Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, James O'Brien tha se Shtetet e Bashkuara janë shumë të shqetësuara me këtë vendim duke nënvizuar se "me këtë qëndrim, qeveria e Kosovës ka vënë në pikëpyetje partneritetin me Shtetet e Bashkuara”. Për çështjen e ndalimit të dinarit të Serbisë në Kosovë, javën që shkoi diskutoi edhe KS-it në një seancë të jashtëzakonshme. Çështja e dinarit ka ndikuar në partneritetin e SHBA-së me Kosovën dhe qëndrimi kritikues i miqve të Kosovës për veprimet e njëanshme të saj, për ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffry Hovenier, janë shqetësuese.

"Është e rrallë që në Këshill të Sigurimit, përfaqësuesi amerikan të thotë gjëra kritike për Qeverinë e Kosovës. Ambasadorja Linda-Thomas Greenfield e bëri këtë. Është e rrallë që ndihmës-sekretari për Evropën, James O'Brien, të japë intervistë me tone e kontekst të tillë siç e bëri, është shumë e rrallë. Reflekton për një problem. Shpresa ime është të ndalet kjo. Nuk duam të jemi në këto rrethana. Duam të jemi në rrethana tjera”, tha në një konferencë për medie të enjten ambasadori Hovenier. "Përkushtimi i SHBA-së për qytetarët e Kosovës është më i fortë se kurrë. Pres ta  festojnë së bashku të shtunën Ditën e Pavarësisë, porse është e vështirë situata. Qeveria nuk duket se po punon në partneritet, duam të evitojmë këtë”, tha Hovenier.

Kurti: SHBA partneri më i rëndësishëm

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, duke komentuar deklaratën e ndihmës sekretarit amerikan të shtetit, tha se Shtetet e Bashkuara paraqesin mikun dhe partnerin më të rëndësishëm që ka Kosova, por nuk la të nënkuptohet se do të tërhiqet nga vendimi për dinarin. "Republika e Kosovës nuk ka partner, aleat edhe mik të rëndësishëm sikurse SHBA-të, kështu e konsideroj dhe bashkëpunoj unë si kryeministër i Republikës së Kosovës. Banka Qendrore e Kosovës ka prezantuar një plan 10-pikësh për zbatimin e rregullores së saj. Ne jemi një Republikë demokratike. Qeveria nuk u mbivendoset institucioneve të pavarura siç është BQK-ja”, deklaroi Kurti.

Presidentja Vjosa Osmani nga ana e saj, thotë se shteti i Kosovës lindi falë edhe mbështetjes së aleatëve e miqve ndërkombëtarë, në krye me SHBA-në dhe roli amerikan për krijimin e shtetit tonë është tepër evident. "Miqësinë e përhershme me Amerikën e kemi testament nga presidenti Rugova, të rrënjosur thellë në zemrat e të gjithë shqiptarëve, ndaj, siç e dëshmoi sidomos periudha e shtetndërtimit, roli amerikan për krijimin e shtetit tonë është tepër evident, tepër përmbajtësor dhe pa dyshim kryesor”, tha Presidentja Osmani.

Por në lidhje me partneritetin qeveri e Kosovës-SHBA ambasadori amerikan, Jeffry Hovenier shprehet ndryshe. "Ne do të shpresonim që Qeveria dhe kryeministri Kurti do të angazhohen si partnerë që ta zgjidhim këtë çështje së bashku, në vend se të ndërmarrin veprime të njëanshme dhe në të kundërtën e asaj që kemi kërkuar. Jemi të shqetësuar që Qeveria dhe kryeministri Kurti nuk e kanë bërë këtë. Çfarëdolloj deklarimi se gjërat janë në rregull dhe se marrëdhëniet tona vazhdojnë, nuk janë të vërteta. Jemi të brengosur”, shprehet Hovenier.

Fëmijët fetojnë 16-vjetorin e pavarësisë në Kosovë
Fëmijët fetojnë 16-vjetorin e pavarësisë në KosovëFotografi: Bekim Shehu/DW

Serioz ndryshimi i kursit politik ndërkombëtar me Kosovën

Por si i shohin analistët politikë kritikat e faktorit ndërkombëtar drejtuar Kosovës, e cila po akuzohet për veprime të njëanshme dhe pa koordinim. Blerim Burjani, analist i tha DW-së, se është befasuese dhe e papritur që të ndodhë një kthesë kaq e madhe e ndryshimit të kursit politik në raport me diplomacinë ndërkombëtare që ishin mbështetëse e pa rezervë e politikës kosovare. "Kosova tash po sillet plotësisht e pavarur dhe jo kooperuese që po ndërmerr veprime pa konsultime ndërkombëtare. Kjo pashmangshëm ka sjellë dy situata. E para veprimet, sipas Kurtit janë të pavarura  dhe ecja e Kosovës përpara bazuar në interesa politike të tij. Dhe e dyta shtetet perëndimore janë të nevojshme kur vlerëson Kurti se ka nevojë për ta. Kjo ka bërë që  jo rrallë aleatët të reagojnë dhe ta cilësojnë kryeministrin si faktor të veprimit vetjak”, thotë Burjani. Sipas tij, përderisa SHBA dhe BE e vlerësojnë sigurinë ndërkombëtare  si prioritet të veprimit, Kurti duhet të zbusë kursin politik në drejtim të kooperimit  me aleatët duke marr parasysh interesat e tyre gjeopolitike dhe gjeostrategjike  në Ballkan.

Burjani thotë se kërkohet racionalitet veprues dhe mekanizëm ure e bashkëpunimit. "Paqja dhe siguria rajonale dhe ndërkombëtare janë prioriteti më i madh i miqve të Kosovës. Frika e ndryshimit të rendit ndërkombëtar e ka shty perëndimin të mbrojë me çdo kusht këtë rend ndërkombëtar, pa ndryshuar asgjë në të.” Kryeministri Kurti duhet të jetë më shumë adoptues i rrethanave aktuale ndërkombëtare dhe rajonale kur flitet për sigurinë ndërkombëtare, thekson analisti Blerim Burjani dhe të angazhohet për një zgjidhje të plotë dhe të pa kusht me Serbinë, në kuptimin e normalizimit të plotë të marrëdhënieve.

"Sinjali i fundit që i dërgohet qeverisë"

Një retrospektivë të zhvillimeve deri tek krijimi i shtetit të Kosovës e bën analisti, Ehat Miftaraj për DW. Ai thotë se shteti i Kosovës është projekt i demokracive perëndimore duke marrë për bazë zhvillimet që kanë ndodhur nga fundi i viteve 80-ta dhe fillimi i viteve 90-ta. "Gjatë gjithë rrugëtimit të saj, Kosova dhe liderët politikë që kanë përfaqësuar Kosovën në shumë procese të rëndësishme kanë ndërtuar dhe kultivuar dialog të bazuar në mirëbesim dhe koordinim të plotë më SHBA dhe shtetet e BE-së”, thotë Miftaraj, duke shtuar se qeveria e tanishme nuk duhet të "injorojë edhe faktet dhe zotimet ndërkombëtare që vetë Republika e Kosovës i ka marr përsipër me rastin e shpalljes së deklaratës së pavarësisë”.

Miftaraj thekson, se kjo ka pasoja. "Një qasje e tillë e qeverisë së Kosovës e vë në pozitë të vështirë si SHBA-në dhe BE-në në raport me shtetet mos njohëse dhe garancionet që kanë dhënë se Kosova do të përmbushë obligimet e saj për të ndërtuar një shtet demokratik, të bazuar në vlera që promovojnë të drejtat dhe liritë e njeriut dhe komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Sanksionet nga BE dhe deklarata e Ambasadorit Amerikan me një gjuhë jo diplomatike, është sinjali i fundit që i dërgohet qeverisë së kjo qasje e gabuar duhet të marr fund”, thotë Miftaraj.

Demonstrata nga serbët e Kosovës në Mitrovicë kundër vendimit të qeverisë për dinarin, 12 shkurt 2024
Demonstrata nga serbët e Kosovës në Mitrovicë kundër vendimit të qeverisë për dinarin, 12 shkurt 2024Fotografi: Armend Nimani/AFP/Getty Images

Thirrje për vetëpërmbajtje e hapa normalizuese

Tensionet e muajve të fundit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kanë ngritur shqetësimet ndërkombëtare për një eskalim të mundshëm të situatës. Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken, gjatë vizitës në Shqipëri, tha se Shtetet e Bashkuara "nuk duan të shohin përsëritjen e asaj çfarë ka ndodhur në vitet e 90-ta në rajonin e Ballkanit, fillimisht në Bosnjë e pastaj edhe në Kosovë”. "Për këtë arsye jemi të angazhuar t'i mbështesim të gjitha përpjekjet për të çuar përpara integrimin e gjithë Ballkanit Perëndimor me njëri-tjetrin dhe Evropën. Sa i takon Kosovës dhe Serbisë, bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian janë rruga e vetme e duhur dhe jemi të angazhuar të bëjmë gjithçka që duhet për të mbështetur të dyja vendet që të përshkojnë këtë rrugë”, tha sekretari  Blinken. 

Këtë javë edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga çfarëdo lloj veprimi që mund të përshkallëzojë tensionet në Ballkanin Perëndimor. “Kemi parë rritje të tensioneve në Kosovë dhe në përgjithësi në Ballkanin Perëndimor përgjatë muajve të fundit. Mesazhi im kryesor është që të gjitha palët duhet të përmbahen nga retorika nxitëse dhe çfarëdo veprimi që mund të përshkallëzojë më shumë tensionet në rajon. Kur flasim për Kosovën, rruga përpara është nëpërmjet dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe u bëj thirrje të dyja palëve të angazhohen në mirëbesim në këtë dialog”, tha Jens Stoltenberg.

Presidenti amerikan, Joe Biden në një mesazh urimi dërguar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuqiç, me rastin e Ditës së Shtetësisë së Republikës së Serbisë, i bëri thirrje Serbisë që të bëjë hapa përpara duke përfshirë edhe kompromise kur është e nevojshme, me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.

Kurti: Kosova është shtëpia e të gjitha komuniteteve që jetojnë aty