1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Macron: Vizat (për Kosovën) kushtëzuar nga mbajtja e fjalës

17 Tetor 2023

Presidenti francez tha në Tiranë se BE kishte bërë një gjest besimi për çështjen e vizave për Kosovën. "Përsa i përket Francës, kjo është e kushtëzuar me mbajtjen e fjalës dhe sot kjo fjalë nuk është mbajtur".

https://p.dw.com/p/4XeMJ
Albanien Emmanuel Macron Rama
Fotografi: Albania/Press office of the Prime Minister

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron i kërkoi homologut të tij serb, Aleksander Vuçiq, këtë të martë që të dënojë "me termat më të ashpër" sulmin e armatosur të kryer nga një grup paraushtarakësh serbë të Kosovës në veri të Kosovës më 24 shtator. "Pres një frymë përgjegjësie nga presidenti serb dhe të njëjtën gjë pres nga presidentja dhe kryeministri kosovar”, tha Macroni.

Macroni tha se pritjet si nga Beogradi ashtu edhe nga Prishtina ishin "të thjeshta" dhe përmendi organizimin e zgjedhjeve të reja në katër komunat me shumicë serbe, pjesëmarrjen e serbëve etnikë në votime si dhe njohjen e Kosovës të asociacionit të komunave me shumicë serbe, që do të funksiononte me një autonomi të caktuar.

Ai paralajmëroi se Franca mund të rishikojë udhëtimin pa viza të Kosovës në Bashkimin Evropian, që do të hyjë në fuqi më 1 janar, nëse të dyja palët nuk bëjnë përparim në zbutjen e tensioneve.

"E them shumë qartë, ne kemi bërë një gjest besimi për çështjen e vizave. Përsa i përket Francës, kjo është e kushtëzuar me mbajtjen e fjalës dhe sot kjo fjalë nuk është mbajtur".

Emmanuel Macron dhe Edi Rama
Fotografi: Albania/Press office of the Prime Minister

Në konferencën e shtypit që mbajti sot në Tiranë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, Macroni iu përgjigj me kete një pyetjeje nga salla për marrëdhëniet mes Serbisë e Kosovës.

Shënim: Presidenti francez tha fjalë për fjalë në frëngjisht lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën: "Elle est suspendue pour ce qui est de la France, au respect de la parole donnée et la parole aujourd'hui n'est pas tenue". Përkthimi korrekt edhe i agjencisë franceze të lajmeve AFP në anglisht është "Përsa i përket Francës, kjo është e kushtëzuar me mbajtjen e fjalës dhe sot kjo fjalë nuk është mbajtur".

aud (afp, afpe, efe)