1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
MediaMaqedonia e Veriut

Maqedoni e Veriut: Rëndësia e medias publike për demokracinë

31 Janar 2024

Një projekt mbështetur nga Fondacioni Gjerman për Bashkëpunim Ndërkombëtar Juridik, IRZ synon forcimin e medias publike në Maqedoninë e Veriut, si bazë për forcimin e demokracisë.

https://p.dw.com/p/4braC
Pamje ilustruese, mikrofonë
Fotografi: I. Seferi/DW

Radiotelevizioni publik është faktor i rëndësishëm për mbrojtjen e interesave të qytetarëve në sferën audiovizuele. Që ky medium të zhvillohet në drejtim të një shërbimi publik të pavarur dhe t'i ngërthej në vete reformat e domosdoshme duhet të çlirohet nga kthetrat e elitave politike. Media e shërbimit publik nuk është ndërmarrje e thjeshtë publike dhe nuk duhet të jetë pre e politikës. Këto ishin disa nga konstatimet e prezantuara nga projekti "Rëndësia e funksionimit të Shërbimit Publik radiodifuziv për demokracinë në Evropë”, i financuar nga BE-ja, i mbështetur nga Fondacioni Gjerman për Bashkëpunim Ndërkombëtar Juridik, IRZ. 

Geer: Stabiliteti financiar përforcon pavarësinë e shërbimit publik

Ambasadori i Bashkimit Europian në Shkup, David Geer u shpreh, se ekzistenca e mediave të lira dhe të pavarura është thelbësore për çdo demokraci. Sipas tij në rekomandimet e Raportit për Maqedoninë e Veriut për vitin 2023 nga Komisioni Evropian është theksuar qartë se në RMV nevojiten masa shtesë për të forcuar stabilitetin financiar dhe pavarësinë e Shërbimit Publik. "Ekzistenca e mediave të lira dhe të pavarura është e një rëndësie të veçantë për secilën demokraci dhe për secilin shtet i cili ka aspirata për në BE. Informimi i saktë, i pavarur i balancuar dhe në kohë reale është më se i domosdoshëm për një media publike”, vlerëson ambasadori i BE-së në RMV, Dejvid Geer. Sipas tij në periudhën zgjedhore media publike duhet të informojë në mënyrë të paanshme dhe transparente me qëllim që qytetarët të informohen në mënyrë objektive dhe të saktë. Disinformimi, lajmet e rreme dhe format e tjera të manipulimit duhet të çrrënjosen shpejt, është shprehur ambasadori Geer.

Ambasadori i Bashkimit Europian në Shkup, Dejvid Geer
Fotografi: Arbnora Memeti

Drexler: Shërbimi publik duhet të përshtatet me ndryshimet e shoqërisë

Ambasadorja e Gjermanisë në RMV, Petra Drexler ka thënë se informimi publik luan një rol të rëndësishëm për demokratizimin e shoqërisë. "Demokracia dhe gazetaria plotësojnë njëra tjetrën. Sot mund të themi se kemi gazetari të mirëfilltë por edhe ballafaqim me sfida të mëdha.Të rinjtë sot informohen më shumë nga rrjetet sociale të cilat në të shumtën e rasteve nuk ofrojnë informata cilësore nga ana tjetër shërbimet publike neglizhohen. Duhet të ketë më shumë debate për rëndësinë dhe vlerën e medias publike, ndërsa kjo e fundit duhet të përshtatet me ndryshimet që po ndodhin në shoqëritë bashkëkohore”, vlerëson ambasadorja gjermane Petra Drexler.   

Ambasadorja gjermane në Shkup Petra Drexler gjatë një takimi në Shkup
Fotografi: Government of North Macedonia

Cvetkovski: Media publike duhet të çlirohet nga prangat e politikës 

Drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Publik, Marjan Cvetkovski, theksoi se është e një rëndësie të veçantë që elitat politike të ndryshojnë qasjen e tyre. "Që të mundet që RTVM të zhvillohet si një shërbim publik i pavarur, reforma më e mirë duhet të jet tek qasja e elitave politike vizavi shërbimit publik. Ato duhet të mënjanojnë vlerësimin, se RTMV-ja është ndërmarrje e thjeshtë publike, dhe si e tillë nuk mund ta shohin si kafshatë të tyre. Prandaj e rëndësishme është që të sillet një ligj posaçërisht për RTVM, ku do të hiqeshin të gjitha përkufizimet në punën e RTMV, të cilat e bëjnë shërbimin publik të jetë në shërbim të shumë institucioneve shtetërore”, është shprehur Cvetkovski. Radiotelevizioni publik prezantoi edhe investimet e mëdha, të bëra në teknologjitë moderne, risi në rrafshin mediatik në vend dhe rajon.  

Jürgen Burgraf, drejtues i Zyrës së ARD-së në Bruksel në fjalën e tij është përqëndruar në legjislacionin për funksionimin e medias publike. Sipas Burgraf, BE ka përgatitur ligj në formë të ligjit evropian për lirinë e mediave, përcakatimin e kompetencave të shërbimit publik, financimin dhe organizimin e mediave publike. "Sipas ligjit evropian për lirin e mediave, financimi i shërbimit publik do të jetë transparent dhe në bazë të kritereve objektive. Kjo do të mundësojë mbrojtjen e pavarësisë redaksionale në shërbimet publike”, është shprehur Jürgen Burgraf.     

 

 

Fatos Musliu, me bluzë polo të kuqe në ambient zyre. Në sfond duket një monitor me faqen e DW shqip
Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut