1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëIzrael

Marrëveshja: Ndalen luftimet katër ditë, lirohen 50 pengje

22 Nëntor 2023

Qeveria izraelite ka rënë në ujdi për një ndalim katër ditor të luftimeve dhe shkëmbimin e pengjeve izraelite me të burgosur palestinezë. Pritet lirimi i 50 pengjeve, shumica gra e fëmijë në ditët e ardhshme.

https://p.dw.com/p/4ZI9H
Protesta në Tel Aviv, të afërm e familjarë i bëjnë thirrje qeverisë të bëjë gjithçka për lirimin e pengjeve
Protesta në Tel Aviv, të afërm e familjarë i bëjnë thirrje qeverisë të bëjë gjithçka për lirimin e pengjeveFotografi: Ariel Schalit/AP Photo/picture alliance

Natën e së mërkurës (22.11.) kabineti qeveritar izraelit ra dakord për ndalimin e luftimeve kundër Hamasit. Marrëveshja parashikon që grupi militant islamist, Hamas që konsiderohet nga SHBA, BE, Gjermania e vende të tjera si organizatë terroriste, brenda katër ditësh të lirojë 50 nga 240 pengjet, që janë rrëmbyer në Rripin e Gazës pas sulmit terrorist të Hamasit kundër Izraelit më 7 tetor. Ndalimi i luftimeve mundëson edhe dërgimin e ndihmave humanitare në Gaza.

"Qeveria ka miratuar bazat e fazës së parë të një marrëveshjeje, që parashikon lirimin e të paktën 50 të rrëmbyerve, gra dhe fëmijë,  brenda katër ditësh, ku dhe ndalen luftimet", u tha në një njoftim për shtyp të zyrës së kryeministrit izraelit, Benjamin Netanjahu.

Marrëveshja u ndërmjetësua nga Katari, Egjipti dhe SHBA.

Edhe Hamasi e konfirmoi ekzistencën e një marrëveshjeje. Sipas Hamasit kjo marrëveshje parashikon lirimin e 150 të burgosurve palestinezë, bëri të ditur milicia terroriste në Telegram.

Tym në sfond pas sulmeve izraelite në Gaza të martën, 21.11.2023
Tym në sfond pas sulmeve izraelite në Gaza të martën, 21.11.2023Fotografi: Leo Correa/AP Photo/picture alliance

Zgjatja e ndalimit të luftimeve e mundur

Sipas mediave izraelite ndër pengjet pritet të lirohen 30 fëmijë, 8 nëna dhe 12 gra të moshuara. Nëse mes tyre ndodhen izraelitë me dy pasaporta është e paqartë. Media "Times of Israel" ka bërë të ditur, se të burgosurit izraelitë do të kthehen në ato vende, ku kishin jetuar para burgosjes "përfshirë Jordanin Perëndimor dhe Jeruzalemin lindor". Televizioni Channel 12 bëri të ditur se spitalet izraelite janë të përgatitura për mbërritjen e pengjeve.

Marrëveshja që pritet të hyjë në fuqi të enjten parashikon edhe më shumë ndihma humanitare. Kështu do të lejohen 300 kamionë me ndihma humanitare dhe karburante në ditë. Kryeministri izraelit, Netanjahu theksoi, se asgjë nuk ka ndryshuar në misionin e Izraelit. "Ne gjendemi në luftë, dhe do ta vazhdojmë atë deri sa të arrijmë të gjitha qëllimet. Të shkatërrojmë Hamasin dhe të kthejmë të gjithë pengjet e të sigurojmë që asnjë grupim në Gaza nuk do të kërcënojë Izraelin."

la/ag