1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëMaqedonia e Veriut

Roth: Ndyshimet kushtetuese të dhimbshme, por të domosdoshme

12 Shtator 2023

Kryetari i Komisionit për Politikën e Jashtme të Bundestagut gjerman, Michael Roth, tha në Shkup se ndyshimet kushtetuese janë të dhimbshme, por të domosdoshme.

https://p.dw.com/p/4WG81
Kryetari i Komisionit për Politikën e Jashtme të Bundestagut gjerman, Michael Roth
Kryetari i Komisionit për Politikën e Jashtme të Bundestagut gjerman, Michael Roth Fotografi: Vera Soldo/DW

Michael Roth qëndroi në Shkup në kuadër të përpjekjeve diplomatike ndërkombëtare për të vazhduar rrugën e Maqedonisë drejt BE-së dhe në kuadër të zbatimit të ndryshimeve kushtetuesesi kusht për përparim në këtë rrugë.

"Ndryshimet kushtetuese mund të jenë të dhimbshme, por në fund të fundit janë të nevojshme dhe prandaj dua t'i inkurajoj kolegët e mi në Kuvend dhe në qeveri që të bëjnë maksimumin dhe ta kthejnë Maqedoninë në rrugën e Bashkimit Evropian”, tha në Shkup Michael Roth, kryetar i Komisionit për Politikën e Jashtme të Bundestagut gjerman dhe ish-ministri gjerman i Shtetit për Evropën.

Agresioni ushtarak rus kundër Ukrainës nuk është vetëm një kërcënim për njerëzit e Evropës Lindore, është një kërcënim për të gjithë ne. Andaj po dërgoj një mesazh shumë të thjeshtë: Po, ne jemi mjaft të zënë me këtë luftë, por kjo nuk do të thotë se harrojmë rolin e rëndësishëm që vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Maqedoninë, luajnë për të ardhmen e Evropës.

Michael Roth (SPD)
Michael Roth, (SPD)Fotografi: Bernd von Jutrczenka/dpa/picture alliance

Bashkëpunim i ndërsjellë i bazuar në respektin reciprok

Në panelin e organizuar në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut në temë "Përparimi i procesit të Berlinit përmes diplomacisë parlamentare”, Michael Roth tha se duhet më shumë ambicie në lidhje me negociatat e anëtarësimit. Duke folur në këtë kontekst, ai theksoi se Maqedonia e Veriut luan një rol shumë të rëndësishëm dhe si një vend multietnik dhe multikulturor mund të jetë shembull për vendet fqinje se problemet nuk zgjidhen me shkëmbim territoresh apo spastrim etnik.

"Bashkëpunimi i ndërsjellë i bazuar në respektin reciprok, miqësinë, pajtimin e ndërsjellë ndërmjet grupeve të ndryshme etnike është i mundshëm. Dhe dua të motivoj kolegët e mi këtu se ia vlen angazhimi më i madh në luftën kundër korrupsionit, për një gjyqësor të pavarur kur bëhet fjalë për forcimin e shtetit të së drejtës, kulturës demokratike në këto vende. Reformat e nevojshme nuk janë vetëm përgjegjësi e qeverive, por janë edhe përgjegjësi e parlamentarëve”, tha Roth.

Roth: Procesi i anëtarësimit duhet të reformohet

Qytetarët dhe qeveritë në rajon kanë nevojë urgjente për përfitime të prekshme nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Për të arritur këtë procesi i anëtarësimit duhet të reformohet dhe vendet kandidate duhet të inkorporohen hap pas hapi në strukturat e BE-së përpara se të bëhen zyrtarisht anëtarë, tha kryetari i Komisionit për politikë të jashtme në Bundestag Michael Roth. Ai saktësoi gjashtë propozime për reforma. Sipas tij, ato do të rezultojnë në një proces të përshpejtuar  integrues, i cili do të jetë më tërheqës për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe do t'i afrojë ato me BE-në, pa cenuar, siç tha ai, kriteret strikte për anëtarësim.

Hapja e negociatave, së bashku me hapjen dhe mbylljen e kapitujve të veçantë, në të ardhmen, sipas Roth, duhet të vendoset me shumicë të cilësuar në Këshillin e Ministrave. Deputeti dhe diplomati gjerman është i mendimit se para anëtarësimit, BE-ja duhet të arrijë bashkëpunim edhe më të ngushtë me vendet kandidate në fushat kyçe të sigurisë, energjisë dhe infrastrukturës. Qasja graduale në tregun e përbashkët të BE-së do të jetë një nxitje tërheqëse për t'u bashkuar me BE-në.

Gjatë qëndrimit në Shkup parlamentari gjerman u takuar edhe me ministrin e Punëve te Jashtme, Bujar Osmani, dhe përfaqësuesit e VMRO-DPMNE-së opozitare.

Fatos Musliu, me bluzë polo të kuqe në ambient zyre. Në sfond duket një monitor me faqen e DW shqip
Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut