1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Bruksel bisedohet sot për dinarin serb në Kosovë

25 Mars 2024

Autoritet ndërkombëtare i kërkojnë Kosovës që ta ndryshojë mënyrën e zbatimit të rregullores së BQK për dinarin. Sot do të bisedohet për këtë çështje në Bruksel.

https://p.dw.com/p/4e5WE
Miroslav Lajcak dhe Besnik Bislimi
Miroslav Lajcak dhe Besnik BislimiFotografi: Office of the Kosovo Government

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, takohen këtë të hënë në Bruksel në raundin e dytë brenda një jave për ta diskutuar çështjen e ndalimit të përdorimit të dinarit në Kosovë nga autoritetet dhe hapat për marrëveshjen bazë për normalizim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në takimin që u zhvillua më 19 mars, sipas ndërmjetësit Mirosllav Lajçak, diskutimet ishin përqendruar rreth çështjeve që përfshinë zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës dhe zgjedhjet lokale në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Miroslav Lajcak dhe Besnik Bislimi
Miroslav Lajcak dhe Besnik BislimiFotografi: Office of the Kosovo Prime Minister

Autoritet ndërkombëtare po i kërkojnë Kosovës që ta ndryshojë mënyrën e zbatimit të Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës e cila e përcakton euron si valutën e vetme për pagesa në Kosovë.

"Siç tha kolegu im javën e kaluar, Gabriel Escobar ne jemi të shqetësuar për atë se kjo mund të ndikojë në popullatën e cenueshme dhe mendoj që është me rëndësi që të ndryshohet mënyra e zbatimit, ndaj bisedimet tona për këtë çështje vazhdojnë”, thotë ambasadori amerikan në Kosovë Jeffry Hovenier, shteti i të cilit është më i zëshmi që i kërkon qeverisë Kurti ndryshimin e mënyrës së zbatimit të rregullores së BQK-së.

SHBA për marrëveshjen

Departamenti Amerikan i Shtetit DASH, ka kërkuar që diskutimet për çështjen e përdorimit të dinarit të Serbisë në Kosovë të vazhdojnë me urgjencë.

"E mirëpresim takimin e mbajtur në Bruksel brenda kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja, përfshirë diskutime për rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës. Besojmë se këto diskutime duhet të vazhdojnë me urgjencë. Dialogu i lehtësuar nga BE-ja është kanali adekuat për të zgjidhur këto çështje të ndërlidhura me normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë,” tha një zëdhënës i DASH-it, Vedant Patel.

Palët, Kosova dhe Serbia kishin afat deri të premten e javës së shkuar të paraqisnin propozimet  e tyre rreth përdorimit të dinarit serb në Kosovë. Propozimet e tyre nuk janë bërë publike, por për të cilat shpresohet që të arrihet një kompromis. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, megjithatë nuk lëvizë nga qëndrimi i tij se Kosova "nuk do të pranojë propozime që dalin jashtë kornizës rregulluese të BQK-së”.

Petar Petkoviq
Petar PetkoviqFotografi: John Thys/AFP/Getty Images

"Është një proces që po vazhdon dhe ka disa propozime. Por nuk ka propozime që pranohen nga ana jonë që shkojnë në kundërshtim me rregulloren e re të BQK-së”, tha kryeministri Kurti.

Asociacioni

Pala serbe sipas kryenegociatorit Petar Petkoviq, në takimet që po zhvillohen në Bruksel vazhdimisht insiston në themelimin nga pala kosovare të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke e cilësuar një pikë kryesore diskutimi që mbetet të zgjidhet.

Ndërsa  kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, thotë se Serbia nuk po pranon ta nënshkruajë marrëveshjen bazë të Ohrit, marrëveshje kjo për normalizim dhe me këtë, sipas Bislimit, "Serbia po dëshmon qasjen destruktive”. Sipas tij, Kosova po e vazhdon angazhimin "duke shfaqur konstruktivitet e duke qenë palë aktive përmes ofrimit në vazhdimësi të propozimeve në dialog”.

"Rryma në veri, ka filluar të paguhet për herë të parë, e po ashtu dhe targat ilegale u larguan nga qarkullimi. Rendi dhe ligji mbizotërojnë tashmë në çdo cep të vendit. Procesi i dialogut u kthye drejt rrugës së normalizimit dhe njohjes reciproke, por të cilën fqinji ynë verior vijon ta refuzojë, siç po e dëshmojnë me Marrëveshjen Bazike të Brukselit dhe Aneksin Implementues të Ohrit. U demaskua qasja e tyre destruktive, por ne vijuam angazhimin tonë, duke shfaqur konstruktivitet e duke qenë palë aktive, përmes ofrimit në vazhdimësi të propozimeve e ideve në çështjet rreth dialogut”, shkroi Bislimi në facebook një ditë para takimit të sotëm në Bruksel, ku çështja e dinarit serb pritet të zë vend kryesor në takim.

Serbia deklaron se ndan ndihmë në miliona euro për komunitetin serb në Kosovë, duke u paguar atyre përmes një sistemi paralel në dinar, rrogat, pensionet dhe ndihma sociale.