1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëLindja e Mesme

Samiti i BE: Arrihet ujdi për deklaratën mbi Lindjen e Mesme

27 Tetor 2023

Krerët e shteteve dhe qeverive të BE kanë rënë në ujdi pas debateve të gjata për "armëpushim dhe korridoret e ndihmës". Edhe SHBA kërkon armëpushim humanitar.

https://p.dw.com/p/4Y5SB
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen dhe presidenti i Këshillit të BE, Charles Michel duke folur para mediave
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen dhe presidenti i Këshillit të BE, Charles Michel duke folur para mediaveFotografi: European Union

Pas një maratone diskutimesh krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve të BE në samitin e tyre në Bruksel (26.10.)ranë dakord për një deklaratë përfundimtare në lidhje me luftën në Lindjen e Mesme. Aty ata kërkojnë armëpushim dhe korridore të mbrojtura për furnizimin e sigurt me ndihma të Rripit të Gazës. Në dokument thuhet, se keqësimi i gjendjes humanitare në Gaza jep shkas për shqetësim. Bashkimi Europian do të punojë ngushtë me partnerët në rajon për të mbrojtur popullsinë civile, të ofrojë ndihma dhe qasje në ushqime, ujë, kujdesin mjekësor, karburantet dhe strehimin. Në dokument po ashtu theksohet se duhet siguruar që ndihmat të mos keqpërdoren nga "organizatat terroriste".  Hamasi kategorizohet si oganizatë terroriste nga SHBA, BE, Gjermania dhe disa vende arabe. Më 7 tetor Hamasi sulmoi brutalisht nga Rripi i Gazës Izraelin.

Në ujdinë e arritur theksohet se mbështeten përpjekjet për një konferencë ndërkombëtare të paqes. "Civilët duhet të mbrohen gjithmonë dhe kudo", tha presidenti i Këshillit të BE, Charles Michel duke iu referuar gjendjes në Rripin e Gazës. Ministria e Jashtme e Izraelit nuk reagoi menjëherë pas ujdisë së vendeve anëtare të BE për armëpushim dhe krijimin e korridoreve të mbrojtura.

Të premten u bë e ditur sipas të dhënave nga ushtria izraelite, se Izraeli ka ndërmarrë një operacion trupa tokësore me objektiv të caktuar në qendrën e Rripit të Gazës, shkruan AFP. Edhe avionë luftarakë dhe dronë e kanë shoqëruar këtë mision, deklaroi ushtria izraelite të premten. Sipas të dhënave të saj janë sulmuar "objektiva terroriste" të Hamasit radikal islamik.

Presidenti i Këshillit të BE, Charles Michel para sfondit blu të BE dhe duke folur para mikforonit
Presidenti i Këshillit të BE, Charles Michel Fotografi: European Union

SHBA kërkon "armëpushim humanitar"

Qeveria e presidentit amerikan, Joe Biden ka të njëjtin qëndrim si BE. Drejtori i komunikimit në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA, John Kirby është shprehur se SHBA mbështet një armëpushim të kufizuar humanitar në luftën e Gazës. "Këtu bëhet fjalë për pauza lokale të kufizuara në kohë dhe specifike në betejë, me qëllim që ndihmat humanitare të mbërrijnë tek nevojtarët ose që njerëzit në rajon të largohen relativisht të sigurtë", tha Kirby në Uashington.

SHBA është e mendimit që një armëpushim humanitar është një ide e mirë që duhet ndjekur dhe mund të zgjasë disa ditë apo orë. Kombet e Bashkuara e kanë kërkuar një armëpushim të tillë dhe shumë më të zgjeruar, por ai është refuzuar nga Izraeli.

Pas sulmit terrorist të Hamasit, Izraeli kundërpërgjigjet me raketa - tym në Gaza
Pas sulmit terrorist të Hamasit, Izraeli kundërpërgjigjet me sulme me raketa në GazaFotografi: Ariel Schalit/AP Photo/picture alliance

BE starton me ndihma të tjera humanitare

Dy avionë me ndihma humanitare për Rripin e Gazës nisen këtë të premte, ka thënë presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. Për ditët e ardshme janë planifikuar fluturime të tjera, tha ajo të enjten në samitin e BE në Bruksel. Dy avionët e parë i kanë sjellë 56 tonë ndihma ndërkohë në Egjipt, të cilat janë livruar nga Egjiptt nëRripin e Gazës. "Kjo ishte e rëndësishme, por nevojitet më shumë", tha von der Leyen.

Ndërkohë pas dyshimeve të shprehura për shifrat e viktimave të paraqitura nga Ministria e Shëndetësisë në Gaza që kontrollohet nga Hamasi terrorist, kjo minstri ka publikuar një listë me emra të 7028 të vrarëve, me moshëm, gjininë dhe nr e kartës së identitetit. Të dhënat e autoritevete dhe vërtetësia e emrave nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur. SHBA kishte shprehur dyshime për numrin e viktimave. Presidenti Biden tha, se nuk ka besim tek shifrat e publikuara nga Ministria e Shëndetësisë në Gaza.

la/ag