1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shkup: Shpallen zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare

16 Shkurt 2024

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut Jovan Mitrevski shpalli zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare.

https://p.dw.com/p/4cUb3
Salla plenare e parlamentit të Maqedonisë së Veriut
Salla plenare e parlamentit të Maqedonisë së VeriutFotografi: Petr Stojanovski/DW

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut do të mbahen në dy raunde, i pari më 24 prill, ndërsa raundi i dytë do të mbahet së bashku me zgjedhjet parlamentare më 8 maj. Mitrevski beson, se të gjitha institucionet kompetente dhe të gjitha subjektet e përfshira në zgjedhje do të japin kontributin e tyre që të kemi zgjedhje të drejta, të lira dhe demokratike, ashtu siç e meriton një shtet, anëtar i NATO-së dhe shtet që ka zgjedhur rrugën drejt anëtarësimit të plotë në BE.

"Maqedonia e Veriut ka dëshmuar se ka kapacitet të organizojë zgjedhje demokratike në përputhje me parimet dhe vlerat evropiane. Shprehja e së drejtës për të votuar lirshëm është akti më i lartë i demokracisë dhe besoj se qytetarët në këto zgjedhje do të bëjnë zgjidhjen më të mirë për ardhmen e shtetit”, u shpreh kryetari i Kuvendit Jovan Mitrevski.

Arben Taravari kandidat i opozitës shqiptare për president

Edhe pse hapësira deri në zgjedhje po afrohet, partitë ende nuk kanë bërë të ditur emrat e kandidatëve, me të cilët do të konkurrojnë në zgjedhjet presidenciale, përpos opozitës shqiptare dhe partisë "E Majta”.

Kryetari i partisë Aleanca për Shqiptarët dhe aktualisht kryetar i komunës së Gostivarit, Arben Taravari, shpalli kandidaturën e tij për president të Maqedonisë së Veriut për zgjedhjet presidenciale më 24 prill dhe 8 maj. Ai do të jetë kandidat i koalicionit të opozitës shqiptare, Lidhjes Evropiane për Ndryshim (LEN). Ky koalicion përbëhet nga Lëvizja Besa, Alternativa, Lidhja Demokratike, njëri krah i Aleancës për Shqiptarët (ASH) dhe mbështetësit e Lëvizjes Vetëvendosje, partisë në pushtet në Kosovë.

"Është privilegj të kem besimin e kaq shumë faktorëve. Është përgjegjësi të jem i zgjedhuri dhe i besuari i tyre. Është mision të jem zëri juaj.Ne kemi mundësinë që diversitetin e vendit tonë ta shndërrojmë në artin e bashkëjetesës dhe harmonisë. Ndryshimi ka nisur dhe kjo tashmë shihet”, deklaroi Taravari. Ai ka thënë, se do të kërkojë mbështetje nga të gjitha partitë politike, përfshirë edhe partitë e tjera shqiptare, maqedonase, boshnjake, turke, rome dhe të të gjithë atyre që vlerësojnë se ai është njeriu që duhet të udhëheqë shtetin.

Kandidat shqiptar për president mund të nxjerrë edhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), dhe ndër emrat që përflitet është ai i ministrit të Punëve të Jashtme Bujar Osmani.

Musliu: Kandidatit shqiptar i duhet mbështetje edhe nga etnitë e tjera

Pjesëmarrja e partive shqiptare me kandidatët e tyre në garën për president në Maqedoninë e Veriut, sipas njohësve të çështjeve politike, më tepër ka të bëjë me matjen e forcave mes tyre sesa realisht mund të kalojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve. Analist Albert Musliu thotë, se një shqiptar nuk do të mund të zgjidhet për president nëse nuk merr mbështetjen e një pjese të votuesve maqedonas, apo edhe të bashkësive të tjera etnike.

"Nëse ka dy ose tre kandidatë, pasi mundet të ketë edhe tre kandidatë shqiptarë, atëherë mund të kemi matje forcash mes partive. Por, nëse del vetëm një kandidat shqiptar, atëherë nuk do të kemi matje forcash. Në këtë rast, kemi shqiptarë që do të votonin për kandidatin shqiptar dhe të tjerët që do të votonin kandidatët që kanë përzgjedhur partitë, nëse bëhet fjalë për kandidat konsensual. Pra, gjithçka varet nga formati në të cilin do të garojnë”, vlerëson analisti Albert Musliu.

Kandidatin e saj e ka shpallur edhe  partia "E Majta”, kandidate e saj për president do të jetë profesoresha e universitetit Biljana Vankovska. Partia në pushtet Lidhja Social Demokrate (LSDM), sipas presidentit aktual Stevo Pendarovski, do të duhet ta caktojë kandidatin për president brenda dhjetë ditësh. Si kandidat i mundshëm është edhe presidenti Pendarovski, ndërsa përfliten edhe emrat e ish-ministrit të Punëve të Brendshme Oliver Spasovski dhe i sekretarit të LSDM-së Mile Zeqeviq. Partia oozitare maqedonase VMRO DPMNE, kandidatin e saj do ta shpallë në konventën e partisë që zhvillohet më 2 mars. Afati për shpalljen e kandidaturave për garën presidenciale është deri më 19 mars.

 

 

Fatos Musliu, me bluzë polo të kuqe në ambient zyre. Në sfond duket një monitor me faqen e DW shqip
Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut