1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shuplakë për Boris Johnson-in në aferën “partygate”.

20 Qershor 2023

Parlamenti i Britanisë së Madhe e sheh tashmë zyrtarisht ish-kryeministrin Boris Johnson si gënjeshtar.Parlamenti e pranon me shumicë dërrmuese raportin mbi gënjeshtrat "Partygate" të ish-kryeministrit Johnson.

https://p.dw.com/p/4Sp8B
Großbritannien | Boris Johnson
Fotografi: Toby Melville/REUTERS

Është vetëm një akt simbolik me pak pasoja të drejtpërdrejta, por mesazhi është gjithsesi i qartë: anëtarët e Parlamentit Britanik kanë miratuar një raport të brendshëm, në të cilin thuhet se ish-kryeministri Boris Johnson gënjeu Parlamentin për festat që mbaheshin në rezidencën e tij zyrtare gjatë mbylljes së jetës publike për shkak të virusit të Coronas. Johnsoni e parashikoi pezullimin 90-ditor të rekomanduar nga Parlamenti, dhe e la mandatin e deputetit pak ditë më parë.

Me këtë votim, Dhoma e Komunave megjithatë i hoqi atij pasaportën parlamentare, të cilën zakonisht kanë të drejtë ta mbajnë ish-deputetët. Një vit më parë, konservatori Johnson dha dorëheqjen si kryeministër pas aferës "Partygate”.

Para votimit, deputetët debatuan nëse janë dakord me gjetjet e komisionit parlamentar dhe nëse i mbështesin sanksionet e propozuara. Në fund, vetëm shtatë deputetë nga partia konservatore e Johnson-it votuan kundër vendimit, nga 118 pro. Shumica e 352 deputetëve të Grupit Konservator abstenuan - duke përfshirë shumicën e anëtarëve të lartë të kabinetit. Gjithsej 354 deputetë votuan pro.

Një grup deputetësh në këmbë
Momenti kur shpallet në Parlament rezultati i raportit të Johnson 'Partygate'.Fotografi: House of Commons/UK Parliament/PA Wire/empics/picture alliance

Kritika për pasardhësin e Johnson-it, Rishi Sunak

Kryeministri Rishi Sunak nuk mori pjesë në votim, gjë që opozita e interpretoi si "dobësi” nga ana e tij. "Nëse kryeministri nuk është i aftë të tregojë as lidership kur bëhet fjalë për të kërkuar llogari nga gënjeshtarët, si mund të presë që qytetarët e këtij vendi t'i besojnë atij diçka tjetër”, tha deputeti laburist Thangam Debbonaire. Nënkryetarja e Grupit Liberal-Demokrat, Daisy Cooper kritikoi: "Sunaku premtoi integritet, por kur situata u bë e vështirë, ai ishte shumë i dobët për të treguar fytyrën e tij." Sunaku refuzoi publikisht të angazhohej për një vendim dhe kërkoi falje për të, duke thënë se nuk donte të ndikonte në votim.

Boris Johnsoni e pati kritikuar raportin e "Partygate” dhe fyer anëtarët e komisionit, që morën pjesë në të. Sipas sondazheve, ish-kryeministri mbetet më popullor se mbajtësi aktual i postit, Sunak, në radhët e Partisë Konservatore në Britani. Shumë anëtarë konservatorë e shohin Johnson-in si luftëtar të talentuar elektoral, pa të cilin partia nuk do të kishte asnjë shans në zgjedhjet legjislative të planifikuara për 2024.

Rishi Sunak
Kryeministri Rishi Sunak nuk mori pjesë në votim. Fotografi: Kin Cheung/REUTERS

A po planifikon Johnson një rikthim?

Kryeministri Sunak tani duhet të shpresojë se votimi do t'i japë fund debatit të gjatë për "Partygate". Por Johnson-i tashmë e ka bërë të qartë se nuk e konsideron të përfunduar karrierën e tij politike. "Winston Churchill u bë kryeministër vetëm në moshën 65-vjeçare”, u ka thënë ai personave të besuar, sipas informacioneve të gazetës "Sunday Times”, duke iu referuar modelit të tij të madh. Ka spekulime se Johnson-i mund të përpiqet të zgjidhet në një zonë tjetër zgjedhore për vitin 2024 - kundër dëshirës së Sunak-ut. Nëse do të zgjidhej më pas në parlament, ai do të rimerrte edhe pasaportën e tij parlamentare.

Fillimisht, ish-kryeministri pritet të ngacmojë gjithsesi kreun e qeverisë britanike me ndërhyrje të zhurmshme nga jashtë. Menjëherë pas tërheqjes së tij nga parlamenti, tabloidi konservator 'Daily Mail' njoftoi se Johnsoni tani do të angazhohet si komentator.

aud (cwo,dpa, afp)