1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Simonida. Sandra. Në vëmendjen e publikut 

Gilda-Nancy Horvath
6 Shkurt 2022

Shoqata teatrore "Romano Svato" u krijua dhjetë vjet më parë nga Simonida dhe Sandra Selimovic. Që nga ajo kohë motrat janë kthyer në ikona të botës teatrore.

https://p.dw.com/p/46aY5
Romano Svato | Schauspielerinnen Sandra Selimovic & Simonida Selimovic
Fotografi: Drago Palavra

Emri Romano Svato do të thotë në gjuhën romanes „me ngrit zërin". Ky emër është emri i duhur për punën e motrave Selimovic, sepse ato janë bashkëpërgjegjëse për disa nga prodhimet më interesante të dekadës së fundit në fushën e teatrit. Në pjesët e tyre teatrale ato përziejnë performancën shumë gjuhëshe me rapin, artin skenik dhe lojën teatrale që luhet në hapësirë publike: „Të tërheqim vëmendjen është kyçi i diskursit për ne, pra konfrontimi me temat që kanë të bëjnë me ne dhe gjithë shoqërinë." 

Ato kanë tërhequr vëmendjen e publikut që në vitin 2013 me "Gipsy Stop Dancing". Kjo pjesë tregon nga e para historinë e mjeshtrit gjerman të boksit të vitit 1933,   Johann „Rukeli" Trollmann. Nuk është burrë por grua ajo që lufton për të marrë titullin kësaj here. Dhe historia nuk luhet në Gjermaninë naziste, por në një qytet fiktiv hungarez, që qeveriset nga një sundimtar totalitar. Ashtu si dikur Rukeli edhe Sandra si boksiere, lufton tani që të mos u nënshtrohet presioneve dhe ta marrë pa mundim titullin e fitores. 

Pak më vonë Simonida dhe Sandra krijuan "Mindj Panther" - një paralele me grupin feminist punk rus „Pussy Riot", disa prej pjesëtareve të së cilës janë arrestuar dikur në Rusi. Për këngët e tyre kundër racizmit dhe diskriminimit Mindj Panther, ka zgjedhur si muzikë rezistence jo muzikën punk por atë rap, dhe si gjuhë gjuhën romanes.  

Fakti që vendosën të veshin për këtë rast kostume Ninja, ka qenë mbase hapi i parë për idenë luftarake mbi të cilën u krijua më vonë pjesa teatrale "Ushtria rome”, tregojnë ato: "Ne romët nuk kemi bërë kurrë luftë. Megjithatë jemi përndjekur dhe vrarë. Po sikur të fillonim që pas gjithë këtyre vuajtjeve të fillojmë të mbrohemi?” 

Teatri për ndryshim perspektive 

"Ushtria rome" u kthye në sukses të papritur në të gjithë Europën dhe u prit mirë si nga fejtonet ashtu edhe nga publiku. Motrat Selimovic luajnë tani role kryesore në inskenimin e Yael Ronen-it në teatrin Maksim Gorki të Berlinit. Protagonistet dhe protagonistët me shumë talente flasin për biografitë e tyre dhe konfliktet me identitetin: "Ne duhet të tregojmë më shumë histori për sukseset tona, për shpirtin tonë luftarak dhe diversitetin tonë. Ne duhet të jemi solidarë dhe të ngremë lart njeri-tjetrin," theksojnë motrat. 

Por pikërisht vendosja në qendër të vëmendjes është ajo çka shumë prej komunitetit rom e shmangin, sidomos kur bëhet fjalë për origjinën e tyre. Sandra thotë se kjo nuk është çudi, kur ke parasysh historinë e komunitetit: "Historia e përndjekjes sonë nuk është treguar sa duhet. Ajo nuk njihet nga pjesa më e madhe e shoqërisë për të mos folur për t‘u pranuar pastaj. Prandaj është e rëndësishme që sulmet kundër nesh të mos injorohen, të mos pranohen ose të mos shihen si të parrezikshme." 

Simonida kujton sa të vështirë e ka pasur ta fshehë identitetin e saj. Familja e saj ka qenë dhe është krenare për kulturën dhe origjinën, por në kohën e adoleshencës ajo vetë nuk e ka ndjerë veten mirë, kur i është dashur të flasë për këtë gjë. Simonida thotë, se për viktimat rome të masakrës së Srebrenicës të vitit 1995, nuk flitet as sot. Prandaj ajo e ka pasur më të lehtë të hiqej sikur ishte italiane ose portugeze: „Më dhimbte shumë kur e mohoja prejardhjen time. Por ajo ka qenë e lidhur me shumë stereotipe negative, prandaj unë nuk doja të identifikohesha me to." 

Duke qenë sot nënë, Simonida ka një qëndrim shumë më të reflektuar: „Fëmijët e mi nuk e kanë mohuar kurrë origjinën e tyre. Ata janë në gjendje për këtë, sepse unë si artiste flas hapur për prejardhjen.” Duke qenë shembull, ajo mundohet të kujdeset edhe për paraqitjen, sepse me aktivitetet e saj ajo shpesh ndodhet në fokus. Ajo mundohet shumë që të dëshmojë aftësitë e saj si aktore, për të mos u vlerësuar vetëm për pamjen e jashtme: „Unë shpesh kam pasur role prostitute, pastrueseje ose bukurie që vret. Edhe Sandra e pati vënë re këtë gjë. Prandaj ne filluam me Romano Svato-n të shkruanim pjesët tona teatrale, t'i shkruanim vetë rolet tona." 

Aktualisht dy motrat janë pjesë e projekteve të rëndësishme. Megjithëse ato e shijojnë shumë bashkëpunimin me njëra-tjetrën, në rrugën artistike ka raste që marrin drejtime të ndryshme për të marrë frymëzime nga burime të reja. Simonida ka qendruar para kamerave kohët e fundit, për xhirimet e filmit "Bibi Sara Kali", i cili u prit mirë në premierën e Vjenës. I planifikuar fillimisht si pjesë teatrale, prodhimi i kryesuar nga Nina Kusturica u transformua gjatë COVID-19 në një film, i cili mund të shihet në platformën „Romflix" të faqes së internetit të Romano Svato-s. 

Në film tematizohet festa "Bibijako Dive" - "Dita e tezes" – që festohet çdo vit me një procesion që zhvillohet më 31 janar. Mbas Luftës së Dytë Botërore romët që kishin shpëtuar gjallë u kthyen në shtëpi edhe në Ballkan dhe organizuan kështu festën "Bibijako Dive".  

Kjo festë që festohet në data të ndryshme në vende të ndryshme të rajonit, në varësi nga dita kur janë kthyer në shtëpi familjet që kanë qenë në kampet naziste. 

Fakti që pjesë e festimeve është edhe një procesion fetar ka një arsye historike, që e ka fillesën shumë më parë: Romët e kanë pasur të ndaluar të nderojnë ato perëndi që kanë pasur origjinë indiane ose të huaj. Duke futur procesionin në këtë rast, u anashkalua kjo ndalesë, sepse një gjë e tillë ishte e lejuar. Përveç kësaj forma e procesionit iu përshtat raporteve rajonale. Nga Kali me shumë këmbë që të kall datën, u krijua figura e një gruaje me lëkurë kafe me emrin Sara ose Bibi Kali. Vetë Simonida thotë se nuk është fetare, por se ka kutinë e vet të moralit: „Unë nuk kam ndonjë respekt të madh për rregullat fetare. Unë besoj tek e mira e njeriut. Është e lehtë të bëhesh i keq, por është e vështirë të gjesh të mirën. Që do të thotë se të duhet të kërkosh dhe të gjesh zgjidhjet. Që do të thotë të mbijetosh." 

Art politik 

Me rolin e parë në teatrin e Vjenës, Burgtheater, Sandra sapo i ka hipur olympit të aktrimit teatral. Pjesa teatrale që shfaqet gjatë muajit shkurt me titullin „Mjekja" është po aq politike sa pjesët e saj teatrale - ajo analizon antisemitizmin në Austria duke u bazuar tek pjesa e Arthur Schnitzlerit, "Professor Bernhardi", shfaqur për herë të parë më 1912 në Berlin. 

E pyetur nëse ka menduar të luajë ndonjëherë pjesë jopolitike, Sandra hedh sytë e habitur dhe thotë: „Arti është gjithnjë një lloj aksioni. Arti është gjithnjë politik, pavarësisht nëse do apo jo. Teatri ka një qëndrim politik. Edhe nëse disa pretendojnë se kjo gjë nuk është e vërtetë." Simonida tund kokën dhe vazhdon: „Ne jemi socializuar nga ambienti. Ne të gjithë kemi qenë në shkollë. Kemi prindër, të afërm. Ne të gjithë jemi qënie politike."  

Në projektin e ardhshëm të përbashkët dy motrat do të konfrontohen me sfidat e një shteti digjital: Si mund të përdoret Webspace për të hequr kufijtë? Çfarë do të ndodhte nëse historia dhe dijet e një vendi parkohen tek një Cloud? Si mund të bëhet hapësira digjitale e sigurt për të gjithë? Pyetja e fundit ka të bëjë me faktin që gjatë pandemisë romët janë kthyer shpesh në objektiv të urrejtjes dhe Fake-News në rrjet- me koseguenca reale siç shpjegojnë artistet: „Në Serbi lagje të tëra u rrethuan, për të ndarë romët. Ata nuk kishin akses në merkata dhe shpesh vuanin nga uria. Pikërisht në situata krize ata kthehen në mish për top." 
Megjithë aktivitetet e tyre për komunitetin, dy motrat nuk duan të shihen ngushtë. Ato janë në radhë të parë artiste, dhe kjo është universale: "Art do të thotë të krijosh diçka të re. Projektet tona lindin nga zjarri i optimizmit për krijimin e atyre gjërave që nuk ekzistojnë, por që duhet të ekzistonin.” 

Në faqen e internetit  romblog-net është publikuar ky artikull në tri gjuhë: gjermanisht, anglisht dhe romanes.