1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëMaqedonia e Veriut

Stoltenberg: Ballkani Perëndimor rajon strategjik për NATO-n

22 Nëntor 2023

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha në Shkup, se Ballkani Perëndimor është rajon strategjik për NATO-n.

https://p.dw.com/p/4ZJbY
Shkup: Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg në ShkupFotografi: Government of North Macedonia

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg  takoi në Shkup liderët e shteteve anëtare të aleancës ushtarake nga Ballkani për të biseduar për sigurinë.

Në takimin joformal të liderëve të shteteve anëtare të NATO-s nga rajoni i Ballkanit me shefin e aleancës mori pjesë kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, president i Kroacisë Zoran Milovanoviq dhe kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq. Për shkaqe shëndetësore në Shkup nuk erdhi kryeministri i Sllovenisë.

Siguria rajonale, adresimi i sfidave, lufta në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme kanë qenë temat kryesore për të cilat është biseduar ne takimin joformal në Shkup.

Shkup: Jens Stoltenberg dhe Dimitar Kovaçevski
Jens Stoltenberg dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar KovaçevskiFotografi: Government of North Macedonia

"Ky rajon është strategjik dhe i rëndësishëm për NATO-n. Shohim kërcënim në Bosnjë dhe siguri të brishtë në Kosovë. Në çdo takim kam nënvizuar se është me rëndësi dhe thelbësore dialogu për zgjidhjen e problemeve. Është koha që të tejkalohen konfliktet rajonale”, tha Stoltenberg.

Kovaçevski: Bashkëpunim i vazhdueshëm me selinë e NATO-së

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski tha se bashkëbisedimi për çështjet e sigurisë së rajonit është shpresëdhënës dhe tejet domethënës.

Shkup: Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar KovaçevskiFotografi: Government of North Macedonia

"Kishim mundësin të flasim për çështjet e hapura në rajon. Situata e sigurisë në vendin tonë është stabile dhe nuk ka të dhëna për prishjen e saj. Kjo do të thotë se sistemi i parandalimit dhe i punës së përbashkët me selinë e NATO-s në Bruksel funksionon në mënyrë permanente, prandaj qytetarët tanë duhet të jenë të lumtur dhe krenarë që jetojnë në një vend anëtar të NATO-s”, tha Kovaçevski.

Rama: Këto takime duhet të jenë të hapura për të gjitha shtetet

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama propozoi që në takimin e radhës të mund të marrin pjesë edhe vendet e tjera të rajonit që nuk janë anëtare të NATO-s.

"Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s e mirëpriti me interes propozimi për ndërtimin e një formati të një Samit të NATO-s me Ballkanin Perëndimor, ku do të jenë të pranishëm jo vetëm vendet anëtare të NATO-s, por edhe vendet partnere të NATO-s dhe vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, që nuk janë sot këtu të pranishme”, tha Edi Rama.

Ai përmendi edhe zhvillimet në Banjskë të Kosovës, për të cilën tha se duhet me çdo kusht që të mos përsëriten duke vënë në pah nevojën e rritjes së forcave të NATO-s në Kosovë.

Spajiç: Ballkani i qëndrueshëm përfitim edhe për BE-n

Kryeministri i Malit të Zi Milojko Spajiç shprehu gatishmërinë e plotë të shtetit të tij për të kontribuar për paqe dhe stabilitet në rajon.

"Një Ballkan Perendimor stabil dhe i sigurt është vetëm perspektivë ekonomike edhe për BE-në”, tha Spajiç.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-së Jens Stoltenberg përshëndeti nga Shkupi marrëveshjen ndërmjet Hamasit dhe Izraelit për lirimin e pengjeve dhe ndalimin e përkohshëm të armiqësive dhe që do të mundësojë dërgimin e ndihmave humanitare.

Fatos Musliu, me bluzë polo të kuqe në ambient zyre. Në sfond duket një monitor me faqen e DW shqip
Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut