1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tiranë:Masë sigurie për Berishën, arrest për dhëndërin e tij

22 Tetor 2023

Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar cakton masë sigurie, “detyrim paraqitje pranë policisë gjyqësore“ dhe “ndalim daljeje jashtë shtetit duke bllokuar pasaportën” për ish-kryeministrin Sali Berisha.

https://p.dw.com/p/4Xrzt
Ish-kryeministri Sali Berisha duke folur gjatë një manifestimi protetse në Tiranë në mars 2023
Ish-kryeministri Sali BerishaFotografi: Ani Ruci/DW

Struktura e Posaҫme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizar  publikoi (22.10.2023) akuzat në bazë të të cilave Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, (GJKKO)  caktoi të shtunën, (21.10.2023) masën e sigurisë, “detyrim paraqitjeje pranë policisë gjyqësore“ dhe “ndalim dalje jashtë shtetit përmes bllokimit të pasaportës” për ish-kryeministrin Sali Berisha. Këto masa erdhën menjëherë pas masës së arrestit me burg të dhëndërit të tij, Jamarbër Malltezi dhe sekuestrimit të pasurive të tij. Masa e arrestit me burg u mor të shtunën edhe ndaj ndërtuesit Fatmir Bekteshi.

Ish-kryeministri Berisha dhe dhëndëri i tij, Jamarbër Malltezi, akuzohen nga Struktura e Posaҫme Antikorrupsion, (SPAK)për korrupsion pasiv në bashkëpunim . Malltezi akuzohet gjithashtu për pastrim të produkteve të veprës penale në bashkëpunim me ndërtuesin Fatmir Bektashi.

Dy arrestimet dhe masa e sigurisë “detyrim paraqitjeje pranë policisë gjyqësore” dhe “ndalim daljeje jashtë shtetit” për ish-kryeministrin Sali Berisha janë të lidhura me hetimet për privatizimin e ish kompleksit sportiv „Partizani“ në Tiranë.

Në njoftimin zyrtar të SPAK theksohet që për ish -kryeministrin Berisha është krijuar dyshimi i arësyeshëm, mbështetur në provë se ai „ka konsumuar veprën penale të korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të të zgjedhurve vendorë“ në bashkëpunim me dhëndërrin e tij, Jamarbër Malltezi. Sipas SPAK ëhtë kryer “privatizimi i terreneve dhe objekteve sportive, me qëllimin e vetëm për t’u shtënë në dorë, ndryshuar destinacioni dhe përdorur për përfitime materiale nga shtetasi Jamarbër Malltezi, i cili shtetas dyshohet se ka konsumuar veprën penale në bashkëpunim me ish-kryeministrin Berisha, duke shfrytëzuar pushtetin e tij dhe përfitime të parregullta.“

SPAK vë në dukje se ish-kryeministri Berisha si  persom nën hetim ka „detyrimim të  paraqitet në policinë gjyqësore dhe i ndalohet dalja jashtë shtetit.“

Në korrik të këtij viti ish- zëvendës kryeministri Arben Ahmetaj u arratis pak orë para se SPAK të kërkonte arrest me burg me akuzat për mosdeklarim ose deklarim të rremë të pasurisë, korrupsion pasiv, pastrim parash dhe shpërdorim detyre.

Ish-kryeministri Berisha hedh poshtë akuzat

Në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp në orët e vona të së shtunës, ish-kryeministri Berisha hodhi poshtë akuzat e SPAK.

"Akuzat janë ngritur pa asnjë bazë dhe janë sulme të mirëfillta politike të Edi Ramës. Ato vijnë pikërisht në çastin që opozita ka nisur lëvizjen pa kthim kundër diktaturës, që po ngre Edi Rama me vjedhjen e votave dhe të pasurive publike. Nuk i trembem arrestimit", theksoi Berisha në konferencën për shtyp.

Ai tha se lëvizja e deputetit brenda apo jashtë vendit nuk mund të cënohet pa miratimin e Parlamentit.

Ish-kryeministri Berisha nuk firmosi masat e sigurisë ndaj tij, që oficerë të Policisë Gjyqësore ia sollën në selinë e PD.

Rezultat i hetimeve të SPAK që nga viti 2020

Hetimet e SPAK për ligjshmërinë e privatizimit të terreneve sportive të kompleksit sportiv "Partizani” kanë zgjatur tre vjet. Në këto terrene, në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes, të shtrira në një sipërfaqje prej 26 mijë metrash katrorë, brenda dy mandateve të qeverisjes së ish-kryeministrit Berisha, 2005-2013, u ndërtua një kompleks kullash dhe pallatesh banimi.

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ish-kryetar i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, (PS) në vitin 2020, në mandatin e saj të dytë qeverisës, adresoi një kallëzim penal lidhur me shkeljet ligjore në privatizimin e ish- kompleksit sportiv ”Partzani.” Ai akuzoi ish-kryeminisyrin Berisha dhe dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi si përfitues direktë të privatizimit të ish-kompleksit sportiv "Partizani.”

Vepra penale e regjistruar në vitin 2020 është ajo e "pastrimit të produkteve të veprës penale”

Në maj të vitit 2021 ish-kryeministri Berisha u shpall nga Departamenti Amerikan i Shtetit „persona non grata" për „vepra korrupsioni që minojnë demokracinë në Shqipëri." Në korrik 2022 ai u shpall edhe nga autoritetet e Britanisë së Madhe „persona non grata" për "lidhje të qarta me grupe të krimit të organizuar, me kriminelë si edhe për korrupsion."

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana