1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Të zbardhen padrejtësitë ndaj sintive dhe romëve pas 1945

6 Tetor 2023

Në "Forumi Sinti dhe Romë" u diskutua për nismat e një "komisioni të së vërtetës", që duhet të zbardhë padrejtësinë ndaj sintive dhe romëve në Gjermani pas vitit 1945. Ky komision mund të jetë aktiv që në vitin 2024.

https://p.dw.com/p/4X7bC
Forumi Sinti dhe Romë: Mehmet Daimagüler, i ngarkuari i qeverisë federale kundër antiziganizmit duke mbajtur fjalën në forum (Berlin, 2 tetor 2023)
Forumi Sinti dhe Romë: Mehmet Daimagüler, i ngarkuari i qeverisë federale kundër antiziganizmit (Berlin, 2 tetor 2023)Fotografi: Gilda Horvath/DW

"Forumi Sinti dhe Romë" me titullin "Njohja e krimeve nacionalsocialiste. Zbardhja e përndjekjes së dytë. Të luftohen pasojat e vazhdueshme" ishte kongresi i parë i të ngarkuarit të qeverisë federale kundër anticiganizmit dhe për jetën e sintive dhe romëve, Mehmet Daimagüler.

Daimagüler deklaroi, se një i ashtuquajtur "komisioni i së vëretetës" do të nisë nga puna në fillim të vitit të ardhshëm. Ky komision me pjesëmarrjen e komuniteteve të të prekurve sinti dhe romë do të zbardhë kriminalizimin e vazhdueshëm dhe margjinalizimin nga institucionet shtetërore në Gjermani. Ndër detyrat e komisionit bën pjesë edhe përpunimi i rekomandimeve për veprim për politikën.

"Narrativa për sintit dhe romët u është lënë në dorë dorasve", tha i ngarkuari i qeverisë për anticiganizmin në forumin, që u zhvillua në fillim të tetorit 2023 në Berlin. Me këtë ai e kundërshtoi perceptimin, se pas 1945 ka pasur një "orë zero", nuk ka pasur një distancim nga mënyra nacionalsocialiste e të menduarit. "Kriminalizimi i sintive dhe romëve vazhdon", theksoi i ngarkuari për anticiganizmin. Kjo rezulton në përjashtimin e njerëzve edhe në ditët e sotme, kur kërkojnë një banesë, një vend pune si dhe në arsim. Veçanërisht e rëndësishme është pavarësia e komisionit, që nuk do të përbëhet vetëm nga studiues, por gjysma e tij do të jenë pjesëtarë nga pala e të prekurve.

"Ethnic Profiling"

Edhe kriminalizimi për shkak të etnisë ("Ethnic Profiling") u tematizua në forum gjatë workshop-it "anticiganizmi dhe policia". Nën mantelin e luftimit të të ashtuqaujturit "kriminalitet i klaneve" merren masa, që i tejkalojnë kompetencat e policisë, tha Daimagüler.

Si shembull ai përmendi rastin e një djali njëmbëdhjetë vjeçar, i cili pa asnjë arsye u kontrollua në rrugë duke iu vendosur prangat për ta çuar në polici. Djali u mbajt në një rajon policie, prindërit e tij nuk u informuan. As djalit nuk iu lejua të vendosë kontakt me prindërit, gjatë kohës që ishte në rajonin e policisë. Ky djalë nuk kishte bërë asnjë kundërvajtje. Katër punonjës policie ndërkohë janë dënuar me gjobë për veprim imponues dhe privim lirie.

Përndjekja e shkeljev të tilla ndosh rralla, vuri në dukje Daimagüler, sepse shumë nga të prekurit nuk kanë mundësi financiare për të paguar avokat. Gjithashtu njerëzit për shkak të përvojave me diskriminimin ndaj tyre kanë shumë frikë, se mund t'u bëhet ndonjë padrejtësi. Ndaj po mendohet edhe krijimi i një rrjeti për ndihmë ligjore. Gjithashtu edhe struktura ndërkohë aktive për denoncimin dhe informimin lidhur me anticiganizmin (MIA) do të kontribuojë për këtë. Në raportin e kësaj strukture për vitin 2022 janë regjistruar mbi 600 raste.

Këto dhe masa të tjera janë rekomanduar nga Komisioni i Pavarur për Anticiganizmin (UKA). Ky komision i ngarkuar nga Ministria e brendëshme në korrik 2021 nxori një raport voluminoz prej 800 faqesh, i bazuar në të dhënat nga gjithsej dymbëdhjetë studime lidhur me diskriminimin e sintive dhe romëve në Gjermani. Në bazë të këtij raporti rreth dy të tretat e përvojave me diskriminimin e sintive dhe romëve ndodhin në kontekstin e institucioneve shtetërore dhe publike. Raporti përbën një bazë të rëndësishme për të gjithë punën e të ngarkuarit të qeverisë për anticiganizmin, u shpreh Daimagüler.

Forumi Sinti dhe Romë, i krijuar nga vetëorganizimi i këtyre komuniteteve duke nxitur dialogun edhe me personalitetet nga politika e filantropia, do të zhvillohet edhe në vitin 2024.